Lajme

Ibrahimi: Kujdes me statusin juridik të Asociacionit

03/30/2018 09:03
nga:A. R.

Drejtori i Asociacionit të Komunave të Kosovës, Sazan Ibrahimi, ka kërkuar nga drejtuesit e institucioneve të vendit që të kenë kujdes gjatë definimit të statusit juridik të Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe.

Serbët e Kosovës ditë më parë i kanë dhënë ultimatum Qeverisë së vendit dhe përfaqësuesve ndërkombëtarë se nëse brenda tri javësh nuk e themelojnë Asociacionin e Komunave me Shumicë Serbe, atëherë një gjë të tillë do ta bëjnë në mënyrë të njëanshme.

Por drejtori i Asociacionit të Komunave të Kosovës, Sazan Ibrahimi, gjatë një interviste për gazetën “Zëri” ka thënë se shteti i Kosovës duhet ta respektojë themelimin e Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe, duke e respektuar marrëveshjen e arritur në Bruksel, mirëpo duhet të jetë shumë i kujdesshëm gjatë definimit të statutit juridik të atij mekanizmi.

“Kam dëgjuar se Qeveria do ta formojë një grup punues për hartimin e statutit të Asociacionit. Për mua hartimi i statutit nuk është i rëndësishëm sa është definimi i statusit juridik të atij mekanizmi”, ka potencuar ai mes tjerash.