Të mërkurën, i dërguari amerikan për Ballkanin Perëndimor, Alexander Kasanof qëndroi në Beograd. E sot, vizitën e tij do të vazhdoj edhe në Kosovë.
Këtë e konfirmoi edhe kryeministri i Kosovës Albin Kurti, ndërsa tha se duhet pritur deri në atë moment që të dihet se “çfarë do të mund të presim prej tij”.
Ai u pyet në një konferencë për media për vizitën e Kasanof dhe se a mund të presë prej diplomatit amerikan “konfirmim shtesë sa i përket dialogut që pritet të zhvillohet këtë vjeshtë”.
“Do ta mirëpresim zyrtarin e lartë të State Departmentit amerikan nesër këtu në Prishtinë. Do të zhvillojmë takim me të. Dhe, ju e dini që ai është në vend të ish-zyrtarit të lartë i cili ka qenë shumë herë në Kosovë, zotit Gabriel Escobar dhe tash edhe me Alexander Kasanof besoj që do ta vazhdojmë bashkëpunimin tonë”, tha ai.
“Se çfarë do të mund të presim prej tij, besoj që duhet të kemi një durim prej 24 orësh”, theksoi kryeministri.
Kasanof po qëndron sot në Beograd, ku ka biseduar për situatën në rajon me presidentin serb, Aleksandar Vuçiq.
Diplomati amerikan do ta vizitojë për herë të parë Kosovën, ndërsa me Kurtin dhe presidenten Vjosa Osmani është takuar në fund të shtatorit në margjina të samiteve të zhvilluara në kuadër të Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së në New York.
Dje, në pallatin “Serbia” i dërguari amerikan për Ballkanin Perëndimor, Alexander Kasanof u takua me presidentin serb, Aleksandër Vuçiq.
Se për çfarë diskutuan tregoi pas takimit vet Vuçiq.
“Duke folur për situatën në rajon, në radhë të parë theksova situatën jashtëzakonisht të vështirë dhe komplekse në Kosovë dhe Metohi dhe theksova kushtet pothuajse të pamundura në të cilat jeton populli serb në Kosovë dhe Metohi. Theksova se dialogu konstruktiv kërkon dy anë, dhe se Serbia mbetet e përkushtuar për bisedë dhe zgjidhje paqësore të problemeve, pavarësisht përshkallëzimit të panevojshëm të njëanshëm të tensioneve”, tha ai.
Kasanof të martën ka qëndruar në Bosnjë dhe Hercegovinë.