Lajme

Humolli për takimet e Kurtit në ShBA: VV’ja, në rrugën e partive që s’i besojnë popullit

09/30/2024 17:29
nga:G C

Ish-deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Fatmir Humolli, ka komentuar takimet e fundit të kryeministrit Kurti në ShBA, duke theksuar se është normale për partitë të angazhohen në aktivitete të tilla.

Ai në një përgjigje për GazetaBlic, u shpreh se, si institucion, kanë marrë pjesë në takime bilaterale me shtete të tjera në New York, duke vlerësuar se këto vizita janë të dobishme dhe nuk sjellin dëm.

“Tash, ka filluar fushata dhe është normale për punët që bëjnë partitë politike. Por, si institucion që kanë marrë pjesë në takime bilaterale me shtetet tjera në New York, është mirë, dëme nuk ka”, tha Humolli.

Megjithatë, Humolli kritikoi qeverinë aktuale, duke thënë se Lëvizja Vetëvendosje tani ka hyrë në rrugën e partive që nuk i besojnë popullit.

Ai theksoi se, nëse punët do të ishin bërë ashtu siç janë premtuar qytetarëve, shumë delegacione ndërkombëtare do të vizitonin Kosovën dhe këto takime do të kryheshin nga ambasadorët ose ministritë përkatëse.

“Sikur të bëhshin punët ashtu siç i kemi premtuar qytetarëve, jam i bindur se shumë delegacione ndërkombëtare do të vinin në Kosovë, e këto takime në Neë York do i krynin ambasadorët apo ministritë përkatëse”, tha Humolli.

Ai gjithashtu theksoi se takimet me diasporën duhet të organizohen nga ambasada jonë në Amerikë në mënyrë të përditshme, dhe jo vetëm kur ndodhin vizita të larta. Sipas tij, angazhimi i diasporës në Amerikë do të ndihmonte në neutralizimin të ndikimit të Serbisë në qarqe të ndryshme atje.

/GazetaBlic/

EULEX thotë se situata e sigurisë në Veri vazhdon të jetë e brishtë