Lajme

Hoxhaj nga spitali i Prizrenit: Do t’i dyfishojmë pagat për mjekët dhe infermierët

01/21/2021 19:17
nga:Sh Xh

Kandidati për kryeministër nga radhët e Partisë Demokratike të Kosovës, Enver Hoxhaj, ka vizituar sot Spitalin Rajonal në Prizren, ku ka falënderuar stafin shëndetësor për punën e bërë në menaxhimin e pandemisë COVID-19.

Nga Prizreni, Hoxhaj ka premtuar se me të kryeministër shëndetësia dhe krijimi i kushteve më të mira për personalin shëndetësor do të jenë prioritet. Ai tha se gjatë qeverisjes së tij do të dyfishojnë pagat për personelin shëndetësor, derisa ka premtuar edhe krijimin e kushteve më të mirë për punë.

“Ne duam që ta ndërtojmë një Kosovë të shëndetshme. E ajo nuk mund të ndërtohet pa një reformë të mirëfilltë dhe pa një mbështetje të mirëfilltë politike, financiare për sistemin tonë shëndetësor. Mjekët dhe infermierët do të jenë në fokus të qeverisë që do ta udhëheqë unë pas pak javësh në Republikën e Kosovës”, tha Hoxhaj.

Hoxhaj, gjithashtu tha se pagat e mjekëve nuk janë dinjitoze, derisa përmendi edhe rritjen e pagave që ka bërë Uran Ismaili gjatë kohës sa ishte ministër i Shëndetësisë.

“Ne mendojmë që pagat të cilat i kanë mjekët nuk janë dinjitoze për vitin 2021 dhe mund të them se z.Ismaili ka bërë një punë të madhe duke rritur pagën aktuale, por ne tash do ta dyfishojmë atë”, tha ai.

Nënkryetari i PDK-së, njëherësh ish-ministri i Shëndetësisë Uran Ismaili, tha se do të vazhdojnë të jenë pranë mjekëve dhe infermierëve duke u ofruar paga dhe kushte më të mira të punës.

“Planifikojmë që të jemi prapë pranë mjekëve tanë, pranë infermierëve tanë me plane konkrete, me një vizion të qartë, me vizion konkret që i ndihmon ata jo vetëm gjatë kohës së pandemisë, jo vetëm kur kanë kriza por t’i ndihmojmë ata gjithmonë sepse janë ndihmues të popullatës tonë”, ka thënë Ismaili.

Tutje, ai ka shtuar se pos mirënjohjes për mjekët dhe infermierët, PDK është e angazhuar t’iu ofrojë planë konkrete në aspektin e pagave, edukimit dhe investimeve kapitale.

Drejtori i Spitalit Rajonal të Prizrenit, Afrim Avdaj, tha se për stafin shëndetësor mbështetja nga institucionet është një motiv shtesë gjatë përballjes me pandeminë COVID-19.

“Prania e zyrtarëve të institucioneve të Kosovës është edhe një hap shtesë që kjo mbështetje do të jetë në vazhdimësi derisa pandemia të shpallet e përfunduar”, tha ai.

Kandidati i PDK-së për kryeministër Enver Hoxhaj, gjatë ditës në Prizren ka vizituar edhe bizneset e kësaj komune ku ka prezantuar planin e rimëkëmbjes.