Ish-ministri i jashtëm Enver Hoxhaj, kandidat për deputet në këto zgjedhje, iu është përgjigjur deklaratë-premtimit të Albin Kurtit, i cili ka një ditë më parë në një tubim zgjedhor tha se do të nënshkruajnë marrëveshjen SOFA, si një hap drejt anëtarësimit të plotë në NATO.
Por, sipas një postimi në rrjetin social në Facebook të Hoxhaj thotë se kjo marrëveshje është nënshkruar para 12 vitesh nga vet ai.
Në një video-adresim, Hoxhaj tregon për nënshkrimin e kësaj marrëveshjeje, në vitin 2012, duke thënë se “kur Kurti gjuante me gurë institucionet e Kosovës, unë kam nënshkruar me SHBA-në marrëveshjen e parë SOFA në vitin 2012”.
Gjatë video-adresimit, Hoxhaj publikon edhe Notën Verbale për këtë marrëveshje.
“Dje, Albin Kurti paska folur për marrëveshje të SOFA-s. Sot, unë i them se rruga për ta anëtarësuar Kosovën në NATO është shtruar moti, falë bashkëpunimit me shtetet anëtare të saj. Ju, Kurti, jeni lideri i vetëm i Kosovës i cili nga viti 1989 e deri më sot, asnjëherë nuk ka hyrë në Shtëpinë e Bardhë.
Vetëm Partia Demokratike e Kosovës është ajo e cila garanton anëtarësimin e plotë të Kosovës në NATO, por ne fillimisht do të insistojmë që të ketë një marrëveshje të sigurisë dhe të mbrojtjes me Shtetet e Bashkuara të Amerikës, ndërsa SOFA-n e kemi kryer para 12 vitesh”, ka thënë Enver Hoxhaj.
Ndryshe, SOFA (Status për Forca të Armatosura) është një marrëveshje bilaterale mes një vendi nikoqir dhe të huaj që përcakton statusin ligjor të personelit të ushtrisë së huaj që operon në atë shtet.