Lajme

Hoxha: MSA-ja ka ndikim të drejtpërdrejtë në zhvillimin ekonomik

04/01/2019 15:05
nga:L H

Ministrja e Integrimit Evropian, Dhurata Hoxha, me rastin e trevjetorit të hyrjes në fuqi të Marrëveshjes së Stabilizim Asociimit (MSA), në mes të Kosovës dhe Bashkimit Evropian (BE) me organizimin e Odës Ekonomike Amerikane mori pjesë në diskutim, duke e cilësuar zbatimin e MSA-së si sukses dhe shumë të rëndësishme për mirëqenien e qytetarëve tanë.

“MSA-ja, paraqet marrëveshjen e parë kontraktuale në mes të shtetit tonë dhe BE-së, qëllim kryesor i së cilës janë fuqizimi i demokracisë dhe sundimit të ligjit, stabiliteti institucional politik dhe ekonomik, thellimi i marrëdhënieve ekonomike me vendet e BE-së, promovimi i bashkëpunimit ndërkombëtar, duke përfshirë harmonizimin e legjislacionit tonë me atë të BE-së, tranzicioni i plotë në ekonomi funksionale të tregut, gradualisht zhvillimi i një hapësire për treg të lirë në mes të Kosovës dhe BE-së, si dhe promovimi i bashkëpunimit rajonal në sajë të përmbushjes së këtyre qëllimeve”, theksoi Hoxha.

Në mënyrë specifike për zhvillimin tonë ekonomik, shtoi ajo, rëndësi të veçantë kanë reformat që synojnë përmirësimin e klimës së të bërit biznes, përafrimin e legjislacionit tonë me atë të BE-së në fushën e ekonomisë — ndër të tjera, duke krijuar parakushte për konkurrencë të drejtë, rritje të investimeve të huaja, lëvizje të lirë të mallrave, qasje të bizneseve kosovare në tregun e BE-së etj.

Ministrja foli për suksesin e Kosovës në anëtarësimin në organizata ndërkombëtare, si World Custom Organization (WCO) apo South East Europe Regional Council (SEERC), duke nënshkruar dhe janë në fuqi mbi 131 marrëveshje për bashkëpunim, në fusha të ndryshme.

Ministrja potencoi bashkëpunimin e ngushtë me Zyrën e BE-së, duke qenë se Kosova është vendi i dytë në botë (për kokë banori) që përfiton më së shumti ndihmë financiare nga BE nëpërmjet programeve të shumta dhe instrumentit të para anëtarësimit, duke shtuar se MSA është më shumë se forcë shtytëse për reforma drejt integrimit evropian, ajo është mundësia jonë më e mirë për përmirësimin e mirëqenies së qytetarëve tanë.