Deputetja e Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Eliza Hoxha, në seancën e Kuvendit, ka folur masakrën e Rezallës.
Ajo u ka kërkuar kolegëve deputetë që të bëhen bashkë që siç tha ajo t’i ndihmojmë ish-krerët e UÇK-së që po gjykohen në Hagë.
“Në vend se të kërkojmë drejtësi për krimet e luftës, duhet të kërkojmë drejtësi për çlirimtarët tanë. Kosova duhet të jetë bashkë në mënyrë që mos të bëhet padrejtësia e radhës. Më kishte marrë malli me pa Kosovën ashtu, andaj dua t’i falënderoj të gjithë pjesëmarrësit”.
“UÇK na ka mbrojtur në kohë të vështira, andaj ne duhet të bëhemi bashkë ta mbrojmë në këto ditë të vështira”, tha Hoxha.
“Pranverat e Kosovës, sa janë të lavdishme, aq janë edhe të dhimbjes sonë kolektive”, theksoi mes tjerash, Eliza Hoxha, teksa vuri në pah dukurinë e harresës e moskujdesit tonë ndaj personazheve të kohës, që me kalimin e kohës ndikon në zbehjen e ngjarjeve, deri në harresë.
“Dhimbja nuk vjetrohet, por vjetrohen e zbehen kujtimet tona, sepse nuk i kemi ruajtur e as shënuar mjaftueshëm sa duhet e si duhet”, shtoi ajo.
Më tej, deputetja Hoxha deklaroi se historia jonë duket e rrokullisur, ku, sic u shpreh ajo, në vend se të kërkojmë drejtësi për viktimat e luftës dhe shkatërrimet që është bërë në vendin tonë, sot kërkojmë drejtësi për çlirimtarët tanë, derisa përmendi manifestimin e së dielës,
“Marshojmë për Drejtësi”, ku, sikundër deklaroi ajo, “Kosova u bë bashkë për historinë e saj, për të vërtetën e saj. Kosova duhet të jetë bashkë për të vërtetën e saj.”