Cult

Hoti pritet në Ministrinë e Jashtme të Britanisë

05/09/2018 18:43
nga:Q F

Në vazhdën e takimeve në kuadër të vizitës që po realizon në Britaninë e Madhe, Zëvendësministri i Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Rexhep Hoti, i shoqëruar nga Heroina Telaku, këshilltare në Ambasadën e Kosovës në Londër, pati një takim në Ministrinë e Punëve të Jashtme Britanike.

Hoti u takua me Catherine Barnes, Shefe e Deskut për Kosovë, Shqipëri dhe Maqedoni dhe Fiona Henry, Zyrtare në Deskun për Kosovë.

Në këtë takim u bisedua për bashkëpunimin e deritashëm mes Kosovës e Britanisë së Madhe në fushën e diplomacisë, dialogut dhe diversitetit kulturor dhe thellimin e këtij bashkëpunimi përmes realizimit të projekteve konkrete dhe shkëmbimit kulturor siç ishte rasti edhe me turneun e Korit të Filarmonisë së Kosovës në Britaninë e Madhe. U vlerësua se tashmë pas referendumit për dalje nga BE-ja të Britanisë së Madhe është e nevojshme edhe më shumë që të fuqizohet bashkëpunimi bilateral.

Po ashtu, ndër të tjera u diskutua për përkrahjen dhe lobimin për anëtarësimin e Kosovës në organizatë e UNESCO-s, ku Britania e Madhe të luaj një rol kyç në këtë drejtim. Me theks, u fol për bashkëpunim rajonal mes të rinjve siç është shembulli i RYCO-s dhe pjesëmarrjes së Kosovës në Samitin e Londrës i cili do të mbahet gjatë korrikut ku do të diskutohet për të rinjtë.

Hoti kërkoi nga përfaqësueset e MPJ të Britanisë që të bëjnë lehtësim edhe më të madh për viza për artistët e Kosovës dhe për financim të përbashkët të projekteve artistike që realizojnë artistët nga Kosova duke performuar para qytetarëve britanikë.

“Rrita e bashkëpunimit mes të rinjve, të profesionistëve dhe atyre që merren me kulturë dhe trashëgimi, për shkëmbim të përvojave dhe ekspertëve në këtë fusha, është më se e nevojshme”, tha ndër të tjera zëvendësministri.