Lajme

Holanda sërish kritika ndaj Shqipërisë, thotë se nuk është gati për në BE

12/10/2019 21:54
nga:Y I

“Holanda nuk e kundërshton zgjerimin e BE-së”, tha kryeministri holandez, Mark Rutte, por shprehet se Shqipëria nuk është e gatshme të fillojë bisedimet e pranimit për momentin, ndërsa Maqedonia e Veriut është afër këtij qëllimi.

“Ne nuk besojmë se Shqipëria është e gatshme të fillojë bisedimet me BE në këtë pikë dhe për sa i përket Maqedonisë Veriore, ajo është më afër këtij qëllimi”, tha Rutte për revistën “Pobjeda” nga Podgorica. Ai shtoi se disa vende nuk e dëshirojnë shkëputjen e dy vendeve.

I pyetur nëse ishte 2025 një afat realist për pranimin e një prej vendeve të Ballkanit Perëndimor në BE, Rutte u përgjigj nuk ishte qëllim në vetvete. “Unë nuk kam asnjë ide. Dhe ky nuk është një qëllim. Ne nuk kemi asgjë kundër zgjerimit të BE-së, por duhet të sigurohemi që të ndjekim rregullat dhe se gjithçka duhet të jetë e rreptë dhe e drejtë. Ky është gjithmonë pozicioni ynë”, përfundoi Rutte, raporton ScanTV.

Franca vendosi veton duke bllokuar hapjen e negociatave për Shqipërinë dhe Maqedoninë në samitin e liderëve të BE-së në tetor të këtij viti, ndërsa këtij vendimi iu bashkua edhe Holanda me Danimarkën.

Shumë prej krerëve të vendeve në Bashkimin Evropian janë shprehur se ky vendim është një gabim strategjik i Unionit.

Ndërkohë, presidenti francez, Emmanuel Macron është shprehur se BE-ja ka nevojë të reformojë vetveten përpara se të zgjerohet më tej. Gjithashtu Franca ka publikuar edhe dokumentin e ri në të cilin janë rimodeluar kapitujt duke u kthyer në faza për pranimin e shteteve anëtare.

Të gjitha diskutimet e radhës pritet të zhvillohen në samitin e Zagrebit, në maj të 2020-ës midis vendeve të Ballkanit Perëndimor dhe Bashkimit Evropian.