Lajme

Hisen Berisha: Qeveria e shpresës u kthye në mortajë dështimi dhe rrezikon tradhtinë

10/24/2024 09:22
nga:G C

Deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës, Hisen Berisha, ka shprehur shqetësim të thellë lidhur me dështimet e Qeverisë aktuale të Kosovës, duke theksuar se këto mangësi po rrezikojnë stabilitetin dhe integritetin e shtetit.

Berisha në një përgjigje dhënë për GazetaBlic theksoi se, pavarësisht premtimeve për ndryshim dhe përmirësim, qeveria ka dështuar në fusha kyçe që ndikojnë në jetën e qytetarëve.

Ai ka veçuar dialogun me Serbinë si një nga fushat më të dobëta, duke e cilësuar qasjen e qeverisë si të paqartë dhe kontradiktore. Berisha theksoi se riformatimi i dialogut dhe marrëveshjeve ka sjellë në pikëpyetje statusin e shtetësisë dhe integritetin territorial të vendit.

“Qeveria aktuale e Kosovës, pavarësisht premtimeve për ndryshim dhe përmirësim të vendit, ka dështuar në disa fusha kyçe që kanë ndikuar drejtpërdrejt në jetën e qytetarëve dhe në zhvillimin e shtetit. Një nga fushat më të dobëta ka qenë dialogu me Serbinë dhe menaxhimi i situatës në veri të vendit. Përkundër përpjekjeve për të treguar forcë në këtë dialog, qeveria ka pasur një qasje të paqartë dhe shpesh kontradiktore, duke përkeqësuar marrëdhëniet me ndërmjetësit ndërkombëtarë dhe duke rrezikuar stabilitetin në veri. Përmes riformatimit të dialogut dhe marrëveshjeve dhe një alternative të re për asociacionin, janë sjellë në pikëpyetje vetë statusi i shtetësisë dhe integriteti politik e territorial i vendit, duke shkelur parimin e unitaritetit”, tha Berisha.

Berisha theksoi se premtimet për integrimin e serbëve të Kosovës dhe zbatimin e marrëveshjeve të Brukselit kanë mbetur në vendnumëro, duke shkaktuar stanjacion në proceset integruese të vendit.

Berisha kërkoi që qeveria të marrë përgjegjësi dhe të adresojë shqetësimet e qytetarëve dhe partnerëve ndërkombëtarë për të rikthyer besimin dhe për të krijuar kushtet për zhvillim të qëndrueshëm.

Ai gjithashtu vuri në dukje se dështimet në sistemin e mbrojtjes po rrezikojnë rëndë funksionimin e shtetit, duke e quajtur këtë një falimentim të gjithanshëm. Berisha përfundoi duke paralajmëruar se vazhdimi i këtyre dështimeve mund të çojë në tradhti të interesave kombëtare.

“Tensionet e përsëritura dhe incidentet me pasoja të rënda, përfshirë përplasjet me trupat ndërkombëtare dhe vendosjen e barrikadave, dëshmojnë për dështimin në menaxhimin e kësaj çështjeje jetike për vendin. Ndërkohë, premtimet për integrimin e serbëve të Kosovës si kriter kushtetues për ecje përpara dhe zbatimi i marrëveshjeve të Brukselit që i kanë kaluar procedurat kushtetuese të ratifikimit parlamentar, kanë mbetur në vendnumëro, me çka i kanë shkaktuar vendit dhe proceseve integruese këtë stanjacion.Qeveria duhet të marrë përgjegjësi për këto dështime dhe të adresojë në mënyrë serioze shqetësimet e qytetarëve dhe të partnerëve ndërkombëtarë. Vetëm me një qasje të koordinuar dhe të përgjegjshme mund të rikthehet besimi i humbur dhe të krijohen kushtet për zhvillim të qëndrueshëm”, tha Berisha.

“Po ashtu, dështimet e qeverisë në fusha janë të shumta dhe komplekse, duke prekur aspekte themelore të funksionimit të shtetit dhe mirëqenies së qytetarëve. Tanimë, kur po provohet në vazhdimësi edhe falimentimi i sistemit të mbrojtjes, duke minuar me ide revolucionare social-komuniste edhe komponenten kyçe të mozaikut institucional të shtetit, Forcat e Armatosura, mund të konstatohet se kemi falimentim gjithpërfshirës të shtetit.

Këto mangësi kanë krijuar një situatë të rënduar për zhvillimin dhe ecjen përpara të Kosovës dhe kanë dëmtuar besimin e publikut ndaj institucioneve shtetërore.
Suma sumarum, edhe si qeveri e shpresës e kthesës dhe u kthy në mortaje dështimi, zhgënjimi e mashtrimi me rrezikun të rrëshqas edhe në tradhti”, përfundon ai për GazetaBlic.

Bajrami: Qytetarë të varfër e pushtetarë të pasur, Albin Kurti dështoi!

Time Kadrijaj: Asnjë premtim i Kurtit nuk është realizuar