Sporti

Dëmtimet e shpeshta vënë në pikëpyetje të ardhmen zikaltër të Sensit

03/29/2020 23:17
nga:Mergim Rreci

Stefano Sensi ishte surpriza më e bukur e Interit në fillim të sezonit, pasi me lojën dhe golat e asistet e tij, po udhëhiqte skuadrën e Antonio Contes drejt sukseseve radhazi, por një dëmtim muskulor në ndeshjen me Juventusin, ndali shpërthimin e tij.

Që atëherë mesfushorin e ka ndjekur një kalvar dëmtimesh radhazi dhe në rastet kur është rikthyer të luajë ,nuk është ngjitur në lartësinë e javëve të para, ndaj jo më kot drejtuesit e Interit kanë dyshime nëse ia vlen të paguajnë 20 milionë euro për kartonin e tij apo jo.

Sensi iu bashkua Interit me formulën e huazimit me të drejtë blerjeje për shifrën e 20 milionë eurove, por problemet fizike të mesfushorit kanë hedhur dyshime mbi të ardhmen e tij në klubin zikaltër dhe mediat në Itali raportojnë se Marotta e Ausilio kanë kërkuar që Sassuiolo të ulë pretendimet.

Shifrat e Sensit në fakt kanë konfirmuar se edhe kur ka qenë pjesë e Sassuolos, asnjëherë nuk ka arritur të luajë më shumë se 25 ndeshje në sezon, ndaj edhe te Interi po mendohen mirë para se të paguajnë 20 milionë euro për kartonin e tij.

Për më tepër, blerja e një lojtari si Cristian Eriksen, i cili luan si mesfushor i avancuar, ka ulur ndjeshëm shanset e Sensit që të luajë si titullar, pasi ai dhe danezi vështirë se mund të luanin në të njëjtin formacion, për vetë cilësitë që kanë.