Lajme

Hekuran Murati tha se 100 punëtorë në RTK paguhen më shumë se ministrat, reagon drejtori i RTK-së: Absolutisht e pavërtetë

11/17/2021 16:00
nga:Gazeta Blic

Pas deklaratës që dha sot ministri i Financave, Hekuran Murati, kur tha se në RTK 100 punëtor paguhen më shumë se ministrat, ka reaguar drejtori gjeneral i televizionit publik, Ngadhnjim Kastrati.

“Është absolutisht e pavërtetë se në RTK janë 100 punëtorë me paga më të larta se të ministrave”, ka theksuar ai.

Reagimi i plotë:

Këtë e di shumë mirë edhe Ministri Murati. Buxheti për pagat mbetet po ai i njëjti i para tri viteve dhe si Kryetar i Komisionit paraprak i Financave, Ministri Murati është i njohur me këtë fakt.

Përpjekjet për ta sulmuar politikisht RTK-në nëpërmjet manipulimit me të vërtetat faktike është veprim i ulët, por i pakalueshëm.

Vetë fakti se uljen e buxhetit për RTK-në mundohen ta argumentojnë me të dhëna të fabrikuara dëshmon se ky vendim është absolutisht i paarsyeshëm dhe i paarsyetuar.

Kujtojmë se buxheti i RTK-së është më i ulëti krahasuar me mediumet publike në rajon. Shkurtimi i mëtutjeshëm i këtij buxheti zbulon hapur tendencën politike për ta degraduar mediumin publik, në vend se të synohej zhvillimi i tij, si një resurs i domosdoshëm publik.