Zgjedhjet 2017

Haziri: Kundërkandidatët i kam joseriozë, Gjilanin e kanë kartë rezervë

10/13/2017 18:23
nga:H H

Lutfi Haziri, kryetari i deritashëm i Gjilanit që synon edhe një mandat tjetër, ka thënë se kandidatët tjerë nuk paraqesin konkurrencë serioze sepse kanë poste tjera në institucione shtetërore ndaj kandidaturën në Gjilan e kanë kartë rezervë.

“Unë kam vendosur të rikandidoj për kryetar komune në mënyrë që t’i realizoj projektet që më kanë mbetur. Nuk kam dashur të kandidoj për ndonjë pozitë tjetër. Ndërsa, kandidatët tjerë kanë kartën e deputetit, apo të ministrit, dhe kandidaturën për kryetar komune e kanë rezervë, ndaj nuk mund të jenë seriozë”.

Në Info Lokale të Klan Kosovës, ai ka shpalosur planin e tij për katër vjetët e mandatit që synon, duke e ndërlidhur me punët që ka bërë në mandatin paraprak, me theks në infrastrukturë, arsim dhe mirëqenie sociale.

“Po punojmë që në një rreze prej 2.5 kilometrash, në qendër të qytetit, ta ndërtojmë sheshin e qytetit. Shëtitorja është duke u ndërtuar, ndërsa sheshi i ri është pjesë e planit”.

“Sa i përket arsimit, ai e merr pjesën më të madhe të buxhetit. Kemi ndërtuar disa shkolla dhe çerdhen më të madhe në regjion – do t’i ndërtojmë edhe dy çerdhe tjera”.

“Jemi në proces të normalizimit të procesit edukativ-arsimor, ndërsa kemi përfunduar ndërtimin e kampusit të shkollave të mesme”.

“Kemi ndërtuar 45 shtëpi me fonde humanitare dhe buxhet komunal. Të gjitha paratë që janë kursyer nga shpenzimet e ndryshme i kam çuar në ndërtimin e shtëpive dhe pagesën e 42 qirave. Do ta vazhdojmë edhe ndërtimin e 42 shtëpive tjera, në mënyrë që të mos kemi më familje pa kulm mbi kokë”.

11/19/2017 20:01

Kallet Gjilani, festë e madhe e LDK-së pas fitores së Lutfi Hazirit