Sporti

Hazard nesër debuton në La Liga

09/13/2019 22:18
nga:M K

Trajneri i Real Madridit, Zinedine Zidane, të premten zbuloi se transferimi i madh i afatit kalimtar të verës, mesfushori belg Eden Hazard, do ta bëjë debutimin e shumëpritur në La Liga, të shtunën, pasi ka kaluar me sukses të gjitha testet dhe është i gatshëm për lojë.

Hazard pritet të jetë titullar në ndeshjen kundër Levantes, që luhet të shtunën (nesër, 13:00) dhe i takon xhiros së katërt të kampionatit spanjoll, transmeton Koha Ditore shkrimin e AFP-së.

“Të gjithë duam ta shohim Edenin dhe tash ka ardhur rasti për debutimin e tij”, është shprehur Zidane. “Ka presion të madh tek ai, pasi të gjithë presim shumë prej tij. Por, gjëja më e rëndësishme është se Edeni tashmë është plotësisht i gatshëm”.

Hazard është pritur të debutonte në xhiron e parë ndaj Celta Vigos pas transferimit te Reali nga Chelsea për 100 milionë euro, por belgu pësoi një lëndim në stërvitje dhe u detyrua të pauzonte në tri ndeshjet e para të Realit, në të cilat ekipi pati telashe pasi regjistroi vetëm një fitore dhe dy barazime.

Zidane ka kërkuar prej të gjithëve që të kenë durim me Hazardin, të paktën derisa të futet në formë. Trajneri francez është i bindur se Hazard mund të jetë lider i Realit.

“Ne duhet të shkojmë butësisht me të, pasi qëndroi i lënduar për tri javë. Kështu që, duhet të kemi paksa durim në paraqitjet e tij”, ka shtuar Zidane.

“Kemi shtatë ndeshje brenda 21 ditëve dhe nuk guxojmë ta ngarkojmë shumë, pasi Hazard na nevojitet për një periudhë të gjatë dhe jo vetëm për disa ndeshje. Ai është lojtar i rëndësishëm për ne dhe këtë do ta dëshmojë me kalimin e kohës”.

Kthimi i Hazardit ka ardhur në kohën e duhur për Real Madridin, pasi javën e ardhshme nis faza e grupeve në Ligën e Kampionëve. Reali në ndeshjen e parë do të luajë përballë PSG-së.

Hazardi është kthyer, por Reali vazhdon të ketë probleme me lëndime. Pos Luka Modriqit që do të mungojë për pak javë, nga lëndimet muskulare po vuajnë James Rodriguez e Isco, derisa Marco Asensio do të jetë jashtë fushës edhe për një kohë të gjatë.

“Të gjitha klubet kanë probleme të tilla dhe këto lëndime po vijnë si pasojë e ndeshjeve të përfaqësueseve që nuk po ndalen kurrë. Hazard do të na ndihmojë shumë në ndeshjen me Levanten, të cilën duam ta fitojmë. Pasi është kthyer Hazardi, pres që shumë shpejt t’i kemi në dispozicion edhe Modriqin, Iscon e Jamesin”, tha Zidane.

09/15/2019 07:41

Sa kohë ju mbetet për të shpëtuar në rast zjarri?