Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, u është bashkuar sulmeve ndaj mediave, ku tha se “është e rëndësishme që të dijmë se kush nga portalet financohet nga Serbia”.
Ajo tha se e ka njoftuar prokurorinë për lajmin që publikoi dje RTK nga një gazetë boshnjake.
“Siç e keni parë dje, në RTK Live është publikuar një hulumtim që ndërlidhet me tendencën e Serbisë për të blerë media në Ballkan. Në këtë rast përmenden dy portale, është Periskopi dhe Nacionalja që thuhet sipas hulumtimit që financohen nga Serbia, nga Qeveria e Serbisë. Kam ofruar para prokurorisë edhe këtë lajm që është publikuar nga RTK Live, sepse është e rëndësishme që të dijmë se kush nga portalet financohet nga Serbia”, tha Haxhiu para gazetarëve.
Haxhiu tha se gazeta që e ka publikuar këtë shkrim, “është kredibile”.
“Unë po them edhe njëherë që nuk është përgjegjësia e imja të them se çka dhe kush e ka përgatitur hulumtimin. Ajo cka është e rëndësihme është që e përditshmja atje është kredibile dhe hulumtimi është bërë nga ata. Prandaj iu përket institucioneve përgjegjëse që të hulumtojnë më shumë, të hetojnë më shumë këtë rast. Unë e pata obligim që t’ua ofrojë ato që i kam parë edhe vetë, jo vetëm në cilësinë e Ministres së Drejtësisë por edhe të qytetares së Republikës së Kosovës”, tha Haxhiu.