Lajme

Haxhiu flet për takimin e sotëm Kurti-Mustafa, thotë se është optimiste në arritjen e marrëveshjes

01/09/2020 11:33
nga:B. D

Takimi mes kryetarit të Lëvizjes Vetëvendosje (VV), Albin Kurti dhe të Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Isa Mustafa, do të vazhdoj edhe sot, por që ende nuk është zyrtarizuar koha se kur do të zhvillohet një takim i tillë mes dy liderëve për përpjekjet e lidhjes së marrëveshjes për bashkëqeverisje, shkruan GazetaBlic.

Deputetja e VV-së dhe e propozuara për Ministre të Drejtësisë nga ana e Kurtit, Albulena Haxhiu, e kontaktuar nga GazetaBlic tha se koha për takim ende nuk është vendosur, por është e sigurt që takimi gjatë ditës së sotme do të ndodhë.

Ajo shtoi se VV është shumë e interesuar për marrëveshje finale me LDK-në dhe se është shumë optimiste se kjo marrëveshje mund të nënshkruhet edhe gjatë ditës së sotme, megjithatë nuk dëshiron të rrisë shumë shpresat për qytetarët pasi që ende nuk ka asgjë të konfirmuar.

“Ende nuk është e vendosur se në çfarë ore do të mbahet takimi, por ajo që është e ditur është se takim do të ketë sot për shkak se kemi thënë që nga fillimi i takimeve duhet të kemi takime të vazhdueshme sepse ne si VV jemi të interesuar të kemi marrëveshje me LDK-në dhe në këtë drejtim jemi duke punuar shumë dhe një takim i tillë do të ndodhë sot dhe kas angazhim për një marrëveshje”, tha ajo.

“Ne kemi thënë se nga qëndrimet e ngurta që kanë qenë, dje kemi pasur lëvizje, pak a shumë na bënë optimist, por megjithatë nuk ka garancë për këtë sepse është e qartë që ka pritje të mëdha dhe ka shpresa tek qytetarët dhe është e padrejtë të rrisim shumë shpresat për sa kohë ne që jemi pjesë e këtyre grupeve punuese nuk është që kemi ndonjë garancë që do të bëhet, ajo çfarë unë mundem t’i garantoj qytetarët e Kosovës është se vullneti i VV-së është jashtëzakonisht i lartë për këtë marrëveshje dhe po punojmë shumë në këtë drejtim”, tha Haxhiu për GazetaBlic.

Ajo tha se e di që ky proces është stërzgjatur, por që është shumë normale që këto procese të marrin kohë.

“Ne kemi bërë kompromise për këtë marrëveshje prandaj shpresoj se me vullnetin e mirë të punojnë edhe përfaqësuesit e LDK-së, po presim të kemi takime, duket që është vonuar me negociata për marrëveshje por është edhe normale si në vendet tjera, por ne shpresojmë se do kemi marrëveshje mes VV-së dhe LDK-së”, tha Haxhiu.

Ajo tha se VV mbeti e vetme para dy situatave, në seancë dhe tek presidenti shkoi pa marrëveshje.

Haxhiu foli edhe për emrat e propozuar për kabinet qeveritar nga ana e kreut të partisë së saj. Ajo tha se LDK nuk mundet t’i tregoj VV-së se kush mund të propozohet për ministër dhe se një pakënaqësi e tillë nuk është shprehur nga LDK.

Haxhiu thotë se Kurti ka bërë gjë të duhur duke prezantuar paraprakisht emrat për kabinetin qeveritar.

“Gjitha këto veprime janë bërë sepse jemi gjendur përball 2 situatave vetëm, e para është për shkak të Kuvendit ne kemi shkuar pa marrëveshje dhe është dashur ta kemi një fillim para qytetarëve të vendit e deputetëve, e dyta ka qenë kur Kurti para takimit me Thaçin prezantoi edhe ekipin e tij që i është bërë thirrje edhe LDK-së që t’i propozoj 6 emrat e tyre, neve nuk mundet LDK të na caktoj emrat e ministrave, kjo nuk mundet të ndodh sepse ne i kemi ndarë ministritë dhe ne kemi bërë një hap më shumë për ta ndihmuar LDK-në që ta bëj të njëjtën gjë por edhe qytetarët e Kosovës duhet ta dinë se kush është ekipi qeverisës”, tha ajo.

Madje, Haxhiu prezantimin e emrave të ekipit qeverisës e sheh si vlerë të VV-së, e sipas saj gjitha koalicionet e mëparshme është dashur ta bëjnë një gjë të tillë.

“Kjo, për mua dhe VV-në është një vlerë që edhe koalicionet e mëparshme është dashur të veprojnë njësoj, ne jemi njoftuar me emrat e ministrave shpesh në seancë kur është votuar qeveria, ne po mundohemi të japim shembull se si duhet të krijohet marrëveshja dhe si të prezantohet ekipi qeverisës, prandaj unë nuk besoj se ka pas ndonjë problem në këtë drejtim dhe nuk është shprehur ndonjë pakënaqësi me emrat e propozuar, secili prej tyre është person që ka vite që punon, ia kthen dinjitetin institucionit dhe besoj se edhe LDK ta bëjë të njëjtën gjë”, shtoi në fund Haxhiu për GazetaBlic.

06/01/2020 18:59

Qeveria e Kurtit i reagon Gjykatës Kushtetuese: Po bie në kundërshtim me vetveten!