Lajme

Haskuka: Akuzat e PDK-së janë qesharake – do padisim për shpifje Stavilecin e Gashin

12/02/2017 14:36
nga:M H

Kryetari i zgjedhur i Prizrenit, Mytaher Haskuka, e ka quajtur qesharake akuzën e Partisë Demokratike të Kosovës se Vetëvendosje ka bërë keqpërdorime në Prizren.

Për videon e publikuar nga PDK-ja ku disa persona vërehen tek bartin kutit e votimit në një qendër në Prizren dhe me të cilën kjo parti thotë se dëshmon keqpërdorimet, Haskuka ka thënë se aty shihet procesi normal i bartjes së votave nga komisionerët, por ka shtuar se është shkelje ligji fakti që një parti politike i ka këto pamje.

“Gjatë gjithë procesit nuk ka pasur asnjë vërejtje nga komisionerët. Videoja është marrë dhe është prerë ashtu siç ka dashur dikush. Kjo është shkelje e ligjit pasi personat privatë nuk do të duhej ta kishin këto video. Por, PDK-ja mundohet të shpifë dhe të dezinformojë opinionin me servilët e tyre që punojnë për ta”.

Prandaj, Haskuka ka njoftuar se për disa zyrtarë të PDK-së edhe do të procedojnë kallëzime penale.

“Ne do të paraqesim kallëzim penal për shpifje për Blerand Stavilecin dhe Kujtim Gashin”.

Ndërsa Haskuka ka pasur akuzat e veta në drejtim të PDK-së dhe pushtetit lokal të deritanishëm atje.

“Zyrtarët e PDK-së po largojnë dosje nga komuna në drejtime të panjohura. Kemi të thëna edhe nga IT-ja e komunës që po bëhen fshirje të dosjeve. Ku po shkojnë ato dosje? Përse ka nevojë të fshihen? Kjo është vazhdim i kriminalitetit të PDK-së në Prizren”.

 

12/10/2017 21:13

Rrjedhje të reja në Vetëvendosje: Ja çka i kërkojnë tash, Pikat e VV-së Visar Ymerit