Lajme

“Hashim Thaçi përmes dialogut, do që ta sabotoj Gjykatën Speciale”

01/25/2017 16:18
nga:Gazeta Blic

Përfaqësuesit e opozitës dhe analistët politik konsiderojnë se në takimin e djeshëm është biseduar për pasojat që i ka prodhuar dialogu i filluar më 2011.

Ndërkaq, pjesëmarrjen e Thaçit në bisedime e konsiderojnë si përpjekje e tij, që ta sabotoj Gjykatën Speciale.

Sekretari i Nismës, Bilall Sherifi konsideron se dialogu që nisi kinse për njohjen nga Serbia, ndodhi që përmes këtij procesi, shteti serb të instalohet në Kosovë.

“Sikur mund të shihet nga kjo që e ka thënë vet Hashim Thaçi del se në Bruksel është biseduar për TRENIN, MURIN, dhe fletarrestet”, ka theksuar ai për Gazetën Blic.

Pra, shtoi ai, në Bruksel është biseduar për pasojat që i ka prodhuar dialogu i filluar në vitin 2011 nga vet ai kur ishte kryeministër i qeverisë së Kosovës

“Pra, 5 vite dialog për të cilin thoshte se do të përfundojë me njohje të Kosovës nga Serbia, doli se ishin 5 vite dialog për ta kthyer Serbinë në Kosovë”, tha ai.

Sherifi mendon se në tërë këtë situatë ka vetëm një zgjidhje.

“Prandaj, vetëm zgjedhjet e parakohshme, të cilat pritet të sjellin ndryshimin e nevojshëm kanë mbetur opsion që mund ta kthejë Kosovën në binarë të duhur, sepse me këta që patëm deri më sot gjendja vetëm sa do të përkeqësohet”, tha ai.

Ndërkaq, analisti politik, Krenar Shala vlerëson se udhëheqësit e të dyja vendeve, po e përdorin dialogun që të vazhdojnë edhe më tutje të jenë në qeverisje.

“Kosova dhe Serbia, fatkeqësisht, udhëhqen nga qeveria të cilët e përdorin dialogun vetëm sa për të vazhduar qëndrimin në pushtet. E kemi parë deri më tani sesa serioz janë. Dialogu nuk ka arritur rezultate të duhura për arsyen që ka filluar”, tha ai për Gazetën Blic.

Ai konsideron se tensioni i fundit ndërlidhet dhe me procesin e Gjykatës Speciale.

“Presidenti i Kosovës është duke u munduar që të arrij në pozicion që të sabotoj Gjykatën Speciale përmes rritjes së rolit të tij në dialog dhe kështu të mund të vazhdoj të shërbej si faktor kinse i stabilitetit.  Mendoj që BE gjendet në krizë të thellë dhe nuk ka energji të mjaftueshme për t’i detyruar palët që të arrijnë të zgjidhin problemet përmes dialogut”,  tha Krenar Shala.

Takimi i djeshëm ndërmjet delegacionit të Kosovës dhe atij të Serbisë, për herë të parë ka qenë i përfaqësuar edhe në nivel të presidentëve.

Pas takimit, u tha se palët janë dakorduar që të vazhdojnë me këtë nivel të dialogut./ Gazeta Blic

11/25/2019 23:38

Ramush Haradinaj e Hashim Thaçi emëruan Gashin e Ramadanin në krye të AKI-së: Ky është paralajmërimi i Vetëvendosjes