Lajme

Hasani: MTI, e përkushtuar për të mbrojtur prodhuesit vendorë

12/28/2017 14:12
nga:F.B

Ministria e Tregtisë dhe Industrisë do të vazhdojë të jetë mbështetëse për bizneset vendore dhe se do të jenë të përkushtuar për krijim të lehtësirave për këto biznese.

Kështu ka deklaruar ministri i MTI-së, Bajram Hasani në aktivitetin “Ditët e Bizneseve të Vogla 2017”, që është mbajtur sot në Ferizaj.

Ministri Hasani tha se Qeveria është e vendosur t’i fuqizojë dhe t’i japë rëndësi të veçantë prodhimit, pasi sipas tij me krijimin e produkteve krijohet mundësia edhe e gjenerimit të punësimit dhe zhvillimit të vendit.

“Unë i siguroj edhe bizneset e Ferizajt, por edhe të tërë Kosovës që MTI në ato kompetenca, në ato fushëveprimtaritë e saj do ta ushtrojë ndikimin dhe do të marrë të gjitha masat mbrojtëse për prodhuesit tanë. Kur e them masat mbrojtëse natyrisht, ne jemi zotuar dhe jemi të përkushtuar që ta zbatojmë edhe marrëveshjen, obligimet që dalin nga marrëveshja e MSA-së edhe nga CEFTA. Por, natyrisht kemi mundësi ose i kemi dy ligje që e mbrojnë prodhuesin vendor, është ligji për masat mbrojtëse dhe ligji antidamping. Çka do të thotë kjo? Të gjithë prodhuesit që shohin që dëmtohen që hyn një produkt më lirë sesa prodhohet në vend, atëherë MTI ka mundësi që të merr masa mbrojtëse, të qesë një taksë derisa e barazon çmimin e importit me çmimin e prodhimit”, tha ministri Hasani.

Kreu i MTI-së tha se edhe pse nuk kanë shumë fond të madh, janë të interesuar që nga viti 2018 të fuqizojnë edhe me grante bizneset. Po ashtu, ai tha se Ferizaj është një nga komunat më numrin më të madh të biznese, andaj kërkoi nga kryetari i kësaj komune që të caktojë një lokacion për krijimin e një zone ekonomike.

E komunën të cilën e drejton, Agim Aliu e quajti kryeqytet të biznesit dhe tha se do të jetë mbështetës për zhvillimin e mëtutjeshëm të këtyre bizneseve.

“Tashmë programi im është platformë qeverisëse dhe platforma ime qeverisëse do të jetë platformë mbështetëse për bizneset, sepse nuk mund të jetë ndryshe në qytetin e Ferizajt. Nëse një kryetar komune i Ferizajt nuk ka platformë të qartë për zhvillimin ekonomik ai nuk mund të jetë kryetar i Ferizajt, sepse thamë më herët Ferizaj është kryeqytet i zhvillimit ekonomik, kryeqytet i të bërit biznes dhe j krijimit të kushteve edhe më të favorshme për të bërë biznes. Duke qenë kështu platforma ime qeverisëse tashmë do të jetë në përputhje me ketë agjendë që edhe më shumë të fuqizohet bizneset e Ferizajt”, tha Aliu.

Kreu i Ferizajt u zotua se do të jetë mbështetës në fuqizimin dhe krijimin e kushteve më të mira në zonat ekzistuese, por edhe në zonat e reja ekonomike.

Ndërkaq, drejtori i përgjithshëm i Agjencionit për Investime dhe Përkrahje për Ndërmarrjet në Kosovë- KIESA, Besian Mustafa, tha se shërbimet që ata i ofrojnë kanë të bëjnë me promovimin e produkteve të Kosovës në vendet e huaja.

“Ne, si KIESA, përveç promovimit, pra fushatave promovuese që bëjmë për potencialet që ka Kosova, njëkohësisht ofrojmë edhe mundësinë e krijimit të partneriteteve të kompanive kosovare me kompanitë e huaja. Apo në anën tjetër si partner për ngritjen e eksportit të produkteve shërbimeve kosovare. Njëkohësisht subvencionojmë edhe pjesëmarrjen e kompanive kosovare prodhuese në panaire ndërkombëtare”, theksoi ai.

Kurse, Përfaqësuesi i Administratës Tatimore të Kosovës, Fikret Ibrahimi, tha se zotohen si ATK që t’i bashkëngjiten iniciativave të çdo agjencioni apo ministrie që merren me lehtësirat e të bërit biznes.

“Jemi këtu që t’i përgjigjemi çdo iniciative në zbatimin e të gjitha atyre pakove apo reformave që kanë të bëjnë me lehtësirat e juaja. Ju jeni dëshmitar që edhe gjatë viteve të kaluara Ministria e Financave gjithmonë ka sjellë ligje që kanë qenë në favor të komunitetit të biznesit siç janë lirimet që kanë qenë për pajisje apo heqjen e TVSH-së për pajisje për teknologji”, tha ai.

Në anën tjetër, bizneset e komunës së Ferizajt kërkuan që të bëhen ndryshime në doganim të produkteve që importohen në Kosovë, si dhe ankesa patën në drejtim te KEDS-it, duke thënë se ky operator po i plaçkit bizneset e vogla përmes ligjeve që po i krijon ZRRE-ja.

Aktiviteti “Ditët e Biznesit të Vogël 2017” është mbajtur edhe në komunën e Gjilanit, ndërsa do të vazhdojë edhe në komunat e tjera të Kosovës./M.Duraku

06/16/2018 19:18

Mielli po hynë në Kosovë nga Bosnja e Hercegovica, flet ministri Hasani