Lajme

Hasani: Bizneset përveç eksportit kanë edhe barriera të brendshme

04/05/2018 13:50
nga:Gazeta Blic

Situata ekonomike në vend nuk është në nivelin e duhur dhe bizneset në Kosovë përveç barrierave për të eksportuar bizneset tona, kanë edhe barriera tjera të brendshme që vështirësojnë rritjen e konkurrencës së kompanive.

Kështu ka deklaruar Ministri i Tregtisë dhe Industrisë, Bajram Hasani, në konferencën me temë “Lehtësirat tregtare, rëndësia e tyre në zhvillimin e tregtisë ndërkombëtare”, organizuar nga MTI dhe USAID në Kosovë.

Ministri i Tregtisë dhe Industrisë, Bajram Hasani, ka kërkuar nga Kryesia e Kuvendit të Kosovës që projektligji për shoqëritë tregtare sa më shpejt të procedohet në Kuvend, pasi që projektligji do të ndikonte që vendi të ketë progres në aspektin e të bërit biznes.

Hasani tha se me qëllim të krijimit të lehtësirave për sektorin ekonomik është krijuar Komiteti Nacional për lehtësimin e tregtisë, si dhe hyrjen në fuqi të Protokollit Pesë do të krijohen mundësi për përmirësim të kushteve për tregtim nacional dhe vendor.

“Themelimi i Komitetit Nacional për lehtësimin e tregtisë ka për synim që barrierat me të cilat hasin bizneset tona t’i trajtojmë me seriozitetin më të madh të mundshëm. Ne jemi në dijeni se përveç barrierave për të eksportuar bizneset tona kanë edhe barriera tjera të brendshme përfshirë edhe ato jo tarifore të cilat vështirësojnë rritje e më tutjeme të konkurrueshmërisë të kompanive tona. Ky protokoll tani më ka hyrë në fuqi dhe implementimi i tij do të jetë si në nivel nacional ashtu edhe rajonal pasi që synimi protokollit nuk është vetëm përmirësimi i kushteve në nivelin nacional por edhe përmirësimi kushteve për të tregtuar në nivelin rajonal dhe vendeve anëtare të CEFTA-s”, tha ai.

Sipas tij bizneset në vend ballafaqohen edhe me distribuimin e produkteve të tyre si dhe konkurrueshmërinë nga produktet që eksportohen në vend.

Ministri Hasani tha se do vazhdojnë që ndërmarrin masa sipas ligjeve në fuqi me qëllim të largimit të barrierave me të cilat ballafaqohen prodhuesit vendor.

Kryetari i Odës Ekonomike të Kosovës, Safet Gërxhaliu, tha se krahas mbështetjes përmes fondeve dhe subvencioneve, sektori privat ka nevojë edhe për mbrojte të produkteve të tyre.

Sipas tij, sektori privat krahas sfidave të shumta kohëve të fundit po ballafaqohet edhe me mungesë të kualifikimeve të fuqisë punëtore, dhe për këtë kërkoi një vëmendje më të madhe të institucioneve.

“Sfidat janë të shumta po besoj që dialogu është mekanizmi i vetëm për të gjetur një dalje nga një situatë e tillë, nuk i bëhet nder Kosovës nëse humbim kohë duke kërkuar arsye për dështim është koha të gjejmë arsye si të dilet nga dështimi në këtë drejtim në anketat e fundit që janë bërë me sektorin prodhues sa ato eksportojnë në vendet e CEFTA-S vetëm 16 për qind kanë thënë po, 84 për qind nuk eksportojnë. Një ndër sfidat që po ballafaqohet sektori privat dhe me njëfarë forme po minimizohet është arsimi profesional dhe investimi në edukim bazuar në indikatorët e fundit problemi kryesor në sektorin privat kanë qenë kamatat e larta bankare, ka qenë rryma elektrike besoni që në dy tri vitet e ardhshme problemi më i madh do jetë fuqia punëtore”, tha ai.

Gërxhaliu po ashtu tha se është nevojë urgjente që në aspektin tregtar të rritet dhënia e subvencioneve, si dhe të përmirësohet aspekti i promovimit të prodhimeve “Made In Kosova”.

Drejtori i Zyrës për Zhvillim Ekonomik nga USAID, Brian Martalus, tha se SHBA i kanë ndihmuar Kosovës që të ketë qasje më të mirë në kredi, të jenë në gjendje të kombinojnë tregti më efikase që tu lejojnë kompanive kosovare të jenë me konkurruese në regjion dhe gjithashtu edhe ne BE.

Sipas tij, Qeveria e Kosovës duhet të punojë për interesat e sektorit privat sepse pa një sektor privat të fuqishëm nuk ka ekonomi të mirëfilltë.

“Ne shohim shumë potencial për këto eksporte në të ardhmen, ka shumë punë përpara për të bërë në Qeverinë e Kosovës dhe Qeveritë regjionale, ju duheni të gjithë të punoni së bashku dhe është gjithashtu e rëndësishme që sektori privat të punojë bashkërisht me Qeverinë dhe të lobojë për interesat e tyre sepse pa një sektor privat të fuqishëm nuk do të ketë ekonomi të mirëfilltë, sektori privat është baza e ekonomisë dhe pa zërin e sektorit privat të dëgjuar nga Qeveria, ekonomia nuk do të mund të lulëzojë”, tha ai.

Kurse, Bahri Berisha, drejtori i përgjithshëm i Doganës së Kosovës tha se Kosova është në disavantazh sa i takon eksportit të prodhimeve vendore për shkak se nuk kufizohet me ndonjë shtet që është anëtare e BE-së, dhe kjo shkakton koston në aspektin financiar dhe kohor.

Berisha tha se me qëllim të krijimit të lehtësirave për prodhuesit vendor po përdorin praktika më të mira doganore që kanë ndikuar në zvogëlimin e koston financiare dhe kohore.

“Shkurtimi i kohës, kemi shpenzimet e panevojshme që i kemi eliminuar nga procedurat doganore, shkurtimi i procedurës së zhdoganimit, kemi bërë digjitalizimin e të gjitha shërbimeve por flas deri më tani ku gjithçka është elektronike dhe vlerësojmë se të gjitha këto kanë ndikuar në zvogëlimin e kostos financiare dhe kohore”, tha ai.

Berisha po ashtu tha se Dogana e Kosovës është duke punuar që të bëhet pjesë e Konventës së Përbashkët të Transitit, si të shkëmbimi i licencave me agjencionet tjera kufitare të bëhet në mënyrë elektronike.

Në këtë konferencë u prezantuan edhe aktivitetet e institucioneve në fushën e lehtësimit të tregtisë dhe disa nga to janë studimi lidhur me kohën e zhdoganimit, operatorët e autorizuar ekonomik, lista e tarifave dhe pagesave që është në kuadër të protokollit shtesë pesë etj.

12/06/2018 11:53

Kombëtaret U17 dhe U19 mësuan rivalët për kualifikimet e Evropianit