Lajme

Haradinaj:Marrëveshja për linjën Prishtinë-Beograd nuk është kthim prapa në sovranitetin e Kosovës

01/22/2020 14:04
nga:Gazeta Blic

Sipas kryeministrit të Kosovës në detyrë Ramush Haradinaj, krijimi i linjës ajrore Prishtinë-Beograd nuk është kthim prapa as në sovranitet e as në shtetësinë e Kosovës.

Haradinaj ka thënë se krijimi i kësaj linje nuk ka të bëjë fare me taksën që Kosova ka vënë ndaj mallrave të Serbisë, teksa ka thënë se është hap përpara për Kosovën.

“Kosova ka vetëm çështjen e pazgjidhur të sovranitetit, që nuk e ka marrë në zotësi hapësirën ajrore. Atë e menaxhon NATO-ja dhe jemi të lumtur. Arritja e marrëveshjes për fluturim direkt nga Beogradi në Prishtinë nuk ndryshon në statusin tonë, në sovranitetin tonë në atë çka jemi. Hapësirën ajrore tonën ende ne nuk e kemi në zotësi, e ka NATO. Në momentin e arritjes së marrëveshjes me NATO-n kalon te ne, ende s’ka kaluar për shkaqe të sigurisë. Është më mirë që tash NATO e ka nën menaxhim. Kemi interes si Kosovë të mbesë. S’është kthim prapa as në sovranitet as në shtetësi. Është gjuhë biznesi që përdoret për një fluturim, e s’është kthim prapa as në sovranitet as në asnjë gjë tjetër. Gjuha është anglisht. Gjuha është e NATO-s sepse hapësira ajrore nuk është ende në posedim tonin”, ka thënë ai.

“S’ka ndodhur marrëveshje Kosovë – Serbi. Kemi një letër qëllimi në parametrat që janë të pranueshëm që të ndodhë linja Prishtinë – Beograd, palëve që u intereson. Kjo është ajo që ka ndodhur. S’do të arrihej pa ambasadorin Grenell e të tjerët. Është hap përpara për Kosovën. Jo prapa. Kosova ka ecur përpara me këtë”, ka shtuar Haradinaj.