Lajme

Haradinaj të dielën në Gjermani, prezanton programin e partisë

11/16/2024 20:52
nga:Y I

Kreu i AAK-së, Ramush Haradinaj, gjatë një vizite në Augsburg të Gjermanisë, vlerësoi lart kontributin e diasporës kosovare, duke e paraqitur atë si shembull të potencialit të jashtëzakonshëm të kombit dhe model për zhvillimin ekonomik të Kosovës.

“Suksesi i bashkatdhetarëve në Augsburg dëshmon potencialin e jashtëzakonshëm të kombit tonë,” u shpreh Haradinaj.

Ish-kryeministri theksoi se modeli ekonomik i propozuar nga koalicioni AAK-Nisma-Konservatorët-E30 synon të ndjekë frymën sipërmarrëse të demonstruar nga diaspora.

“Kosova ka nevojë për një qeverisje që krijon mundësi, jo pengesa. Që mbështet biznesin vendor në vend që ta pengojë me taksa të panevojshme,” tha Haradinaj.

Në kuadër të programit të tij zgjedhor, Haradinaj premtoi uljen e taksave për bizneset e vogla dhe të mesme, thjeshtësimin e procedurave administrative dhe mbështetje të dedikuar për start-up-et.

Ai do ta prezantojë programin e plotë të partisë para bashkatdhetarëve në Augsburg të dielën, në ora 14:00, raporton “Gazeta Blic”.

Shkrimi i plotë:

Suksesi i bashkatdhetarëve në Augsburg të Gjermanisë dëshmon potencialin e jashtëzakonshëm të kombit tonë. Përmes biznesmenëve si Fitim Thaçi dhe Faton Seferi, që sjellin produktet e Kosovës në tregun gjerman, e deri tek Shkelzen Kryeziu, me dy kompani të suksesshme në sektorin e ndërtimit dhe dyzet të punësuar, shohim se si mërgata jonë po fiton respekt në zemër të Evropës. Ndërmarrës si Alfon Tanushi nga Gjakova dhe shoqata “Hasan Prishtina” nën udhëheqjen e Ramë
Avdullahut tregojnë se vendi ynë ka gjithçka që i duhet për të qenë pjesë e denjë e familjes evropiane.

Modeli ekonomik që ne propozojmë bazohet pikërisht në këtë frymë sipërmarrëse që mërgata jonë e ka dëshmuar në Augsburg, Gjermani dhe Evropë. Kosova ka nevojë për një qeverisje që krijon mundësi, jo pengesa. Që mbështet biznesin vendor në vend që ta pengojë me taksa të panevojshme. Që ndërton ura mes diasporës dhe atdheut, jo që i trajton bashkatdhetarët tanë si bankomatë për buxhetin e shtetit.

Nëndega e AAK-së në Donauwörth, që sot feston 1-vjetorin e themelimit, është dëshmi e fuqishme e angazhimit tonë të përbashkët për një Kosovë më të mirë.
Ne do të krijojmë kushtet që çdo qytetar i Kosovës të ketë mundësinë të ndërtojë suksesin e vet në Atdhe. Do të ulim taksat për bizneset e vogla dhe të mesme, do të thjeshtojmë procedurat administrative dhe do të ofrojmë mbështetje të dedikuar për start-up-et.

Mezi pres takimin e nesërm me bashkatdhetarë, ku do të prezantoj Programin e Aleancës për zgjedhjet e 9 shkurtit, në Augsburg, Bozener Str. 29, duke filluar nga ora 14:00.