Lajme

Haradinaj-Stublla uron Zvicrën: Vendi i parë që e mbrojti pavarësinë e Kosovës

08/01/2020 13:59
nga:Y I

Ministrja e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Meliza Haradinaj-Stublla ka uruar popullin zviceren, me rastin e Ditës Kombëtare të Konfederatës Zvicerane, ku thotë se ishte vendi i parë që e mbrojti Kosovën, dhe se s’kishte zgjidhje tjetër përveç pavarësisë.

Ajo thotë se lidhjet tona të forta kanë themelet në kohën më të vështirë të viteve 90-ta, kur rinia e Kosovës mërgoi në Zvicër, për t’i shpëtuar regjimit gjenocidal të Serbisë së Millosheviqit.

“Zvicra kishte qenë vendi i parë, që në Këshillin e Sigurimit zyrtarisht kishte përmendur dhe mbrojtur qëndrimin se për Kosovën nuk kishte zgjidhje tjetër përveç pavarësisë”, u shpreh ministrja.

Postimi i plotë:

Me rastin e Ditës Kombëtare të Konfederatës Zvicerane, në emër të Republikës së Kosovës dhe popullit të saj, shpreh urimet më të përzemërta popullit zviceran.

Lidhjet tona të forta kanë themelet në kohën më të vështirë të viteve 90-ta, kur rinia e Kosovës mërgoi në Zvicër, për t’i shpëtuar regjimit gjenocidal të Serbisë së Millosheviqit. Atje gjetën strehë, punë, shkollim, e prosperitet, por nuk harruan të ndihmojnë Kosovën në çlirim, rindërtim, dhe shtetndërtim. Pikërisht kjo lidhje dhe kontribut gjithëpërfshirës – e bën Zvicrën ndër aleatët më të mëdhenj të Kosovës.

Zvicra kishte qenë vendi i parë, që në Këshillin e Sigurimit zyrtarisht kishte përmendur dhe mbrojtur qëndrimin se për Kosovën nuk kishte zgjidhje tjetër përveç pavarësisë.

Diaspora jonë atje, sot kontribuon në secilin aspekt të jetës publike, ekonomike, e zhvillimore të Konfederatës Zvicerane. Kosova mburret me arritjet e diasporës sonë atje, të cilët vazhdojnë të thellojnë më tej marrëdhëniet tona të veçanta.

Ministria e Jashtme dhe e Diasporës së Republikës së Kosovës mbetet e përkushtuar për të thelluar e fuqizuar marrëdhëniet dhe bashkëpunimin me Zvicrën në të gjitha aspektet bilaterale.