Lajme

Haradinaj – Stublla i kërkon Gjermanisë e BE-së liberalizimin e vizave për Kosovën

10/29/2020 08:26
nga:Besa Toverlani

Ministrja e Punëve të Jashtme dhe Diasporës e Kosovës, Meliza Haradinaj – Stublla ka njoftuar se mbrëmë ka qenë pjesëmarrëse e panelit ministror të Ministrave të Jashtëm të Ballkanit Perëndimor.

Kryediplomatja thotë se tema e këtij penali, në të cilën mori pjesë me ftesë të homologut të saj gjerman, Heiko Mass, ishte “Të Rinjtë, Migrimi dhe Sfidat Demografike në Ballkanin Perëndimor”.

Shefja e diplomacisë kosovare thotë se në këtë panel ka folur për realitetin e Kosovës si vendi më i ri e me popullsinë më të re në Evropë, derisa thotë se i ka ftuar që të kontribuojnë në themelimin e një qendre inovative për të rinjtë në Prizren.

“Në fjalën time ndava me pjesëmarrësit realitetin e Kosovës si vendi më i ri e me popullsinë më të re në Evropë, dhe i ftova të shfrytëzojmë bashkë potencialin e lartë të Kosovës dhe rinisë së mrekullueshme të saj, duke u bashkuar në iniciativën tonë për të themeluar në Prizren një Qendër Rajonale për Start-up dhe Inovacion”, ka shkruar ndër të tjera ajo.

Po ashtu, kryediplomatja thotë se ka përmendur edhe liberalizimin e vizave, duke kërkuar nga Presidenca Gjermane dhe Bashkimi Evropian që me një veprim strategjik dhe vendosmëri të përqafojë afër vetes rininë e jashtëzakonshme kosovare