Lajme

Haradinaj premton zgjidhje afatgjate për zjarrfikësit

07/12/2018 16:40
nga:D.I

Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, priti në takim përfaqësuesit e sindikatës dhe zjarrfikësit e Kosovës, me të cilët ka diskutuar rreth zgjidhjes së statusit dhe kërkesave të tyre.

Kryeministri Haradinaj u premtoi se brenda dy javësh kërkesat e zjarrfikësve do të diskutohen në mbledhjen e Qeverisë dhe do të ofrohet zgjidhje për këtë sektor mjaftë të rëndësishëm për vendin.

“Qeveria e Kosovës është shtëpia e juaj dhe nga këtu do të gjendet zgjidhja për problemet që i keni, e të cilat datojnë që nga viti 2008”, tha kryeministri Haradinaj.

Meqenëse në Kosovë numri i zjarrfikësve nuk është shumë i madh, kryeministri Haradinaj tha se është më lehtë i menaxhueshëm dhe kërkoi nga ta mirëkuptim, pasi që Qeveria është në hartim të një koncept dokumenti i cili do të rregullojë në mënyrë afatgjate problemet me të cilat ballafaqohen zjarrfikësit në Kosovë.

Përfaqësuesi i Sindikatës së Zjarrfikësve, Muharrem Beka, numëroi disa nga kërkesat prioritare, si rritja e pagesës për rrezikshmëri në punë, ngritja e koeficientit deri në hyrjen në fuqi të ligjit për paga, kompensimi i ndërrimit të natës dhe i punës jashtë orarit.

Kryeministri Haradinaj tha se është i përkushtuar për ofrimin e një zgjidhje adekuate, afatgjate dhe përmes ligjit.

Zjarrfikësit sot para objektit të Qeverisë kanë mbajtur një protestë ku kanë paraqitur kërkesat e tyre.

09/23/2018 16:56

Kështu e kalon ditën kryeministri Haradinaj gjatë vikendit