Lajme

Haradinaj: Premtimet për Istogun – Uji, energji, autostrada dhe rritje pagash për një Kosovë fituese!

11/24/2024 18:48
nga:G C

Kreu i AAK-së, Ramush Haradinaj, ka shpallur një vizion të qartë për të ardhmen e Istogut dhe për të arritur një Kosovë Fituese, raporton GazetaBlic.

Ai theksoi se Istogu, një nga rajonet më të pasura me burime ujore, përballet me paradoksin e mungesës së ujit dhe probleme të tjera si reduktimet e energjisë elektrike, duke kërkuar angazhim të menjëhershëm për ndryshimin e këtyre situatave.

Në një postim të tij, Haradinaj vlerësoi angazhimin e Gentiana Gashi-Pepaj, Frashër Brahimaj, Ukë Blakaj, dhe Bekë Berisha, si garanci për ringjalljen e Istogut, duke theksuar se këta individë të angazhuar, përfaqësojnë një ekip të fortë për të kthyer lavdinë e rajonit.

Haradinaj theksoi disa nga prioritetet kryesore për zhvillimin e Istogut, duke përfshirë:

Investimin në sistemin e ujitjes për fshatrat e Istogut, për të zgjidhur problemin e mungesës së ujit.
Ndërtimin e një termocentrali të ri që do të përfundojë krizën energjetike.
Autostradën e Dukagjinit, e cila do ta bëjë Istogun një pikat kyçe të zhvillimit ekonomik të Kosovës.

Në përpjekje për përmirësimin e kushteve të jetesës, Haradinaj propozoi gjithashtu:

Rritjen e pagës minimale në 500 euro dhe paga mesatare në 1000 euro.
Trefishimin e financimit për bujqit dhe uljen e TVSH-së për produktet bazë.

Me këtë angazhim të fortë dhe ekip të përkushtuar, Haradinaj beson se Istogu do të jetë shembulli i Kosovës Fituese, duke kontribuar në paqe, siguri dhe zhvillim ekonomik për të gjithë vendin.