Lajme

Haradinaj: Në 6:30 jam zgjuar për t’i kryer punët që i kanë lënë ata qyqana

09/28/2019 19:25
nga:A. R.

Kandidati për kryeministër nga AAK-PSD, Ramush Haradinaj, gjatë tubimit në Ferizaj qytetarëve iu ka dhënë shumë premtime, ndërsa kundërkandidatëve të tij një numër akuzash.

Ai tha se në këtë qytet do të sjellë investime sikurse ka bërë edhe gjatë 18 muajve sa ishte në qeveri.

“Kur komuna ka pasë probleme nuk ka ardhur Kadri Veseli me mua. Por unë vetë te kryetari i komunës dhe i kam shtyrë projektet për Ferizajn. E kam pritur me gëzim ditën që Ferizaj me pasë një spital si ka hije. E kam ditë se është me rëndësi bashkimi i qytetit dhe i kemi ndihmuar komunës për ta bërë këtë”.

“Ne do ta bëjmë ujëmbledhësin Lepenci që do të ketë ujë me bollëk dhe jo vetëm për ne, por edhe me dhënë në treg për rajonin. Do të investojmë dhe do ta ndërtojmë ujëmbledhësin e Lepencit. Duhet të punojmë për me pasë rezerva të ujit”.

“Punët e mia gjatë qeverisjen e konfirmuan atë që bëj unë. Prandaj vota e 6 tetorit është një lloj referendumi për me ju thënë po atyre punëve”.

“E kam kuptuar se është e mundshme që krejt energjinë t’ia kushtojmë edhe gjendjes së zhvillimit ekonomik dhe të vendoset rregull mes sipërmarrësve dhe punëtorëve. Mënyra se si mbledhim buxhetin, ne duam t’i lirojmë nga tatimi sipërmarrësve që të kenë më shumë kapital për gjenerim dhe vende të punës”.

“Qeveria jonë ka bërë zona të lira ekonomike. Ajo tokë është dedikuar sipërmarrësve dhe e gëzojnë të drejtën. Duhet ta zvogëlojmë burokracinë mes qeverisë dhe sipërmarrësve sepse këto edhe janë bërë shkaktarë të korrupsionit”.

“Unë s’kam logjikë komuniste si Albin Kurti. Ne kemi qenë kundër Titos e Serbisë e të gjithëve. Kur e kam pa se në çfarë gjendje e ka pru sistemi komunist Shqipërinë, atëherë kam vendosur që të bëhem i djathtë. Logjika ekonomike e Albin Kurtit është komuniste. Ideja që me dalë kundër sipërmarrësve është sikur t’i themi hajde të bëhemi të varfër të gjithë”.

Haradinaj pati akuza edhe për LDK-në dhe PDK-në që s’po japin premtime për rritje të pagave apo zhvillimit ekonomik siç po bën ai. Gjithashtu për paraardhësit e tij në qeverisje tha se kanë qenë ‘qyaqana’ dhe se ai ka përfunduar punët e tyre të lëna në gjysmë.

“Para zgjedhjeve i thoshin që Ramushi ia bjerë kazinotë apo e bën atë, këto rrena nuk ju pijnë ujë më. Ramushi kur ka qenë koha e vështirë krejt familjen e kam shti në zjarr për lirinë tonë. Ramushi kur ka qenë në punë ja ka nisë punës në 6 e gjysmë e deri në gjysmën e natës, nuk është ndalë.

Pra i kam kryer punët e këtij vendi që i kanë lënë në gjysmë ata qyqana”.

“Më 6 tetor mos i leni qyqanat me ju udhëheq, por votoni koalicioni AAK-PSD”.