Lajme

Haradinaj e Veseli po e kundërshtojnë Thaçin për çështjen e kufijve, vjen edhe reagimi i Vjosa Osmanit

08/06/2018 21:08
nga:Gazeta Blic

T’i kundërshtosh idetë e Thaçit për shkëmbim, ndarja apo korrigjim të territorit dhe në të njëjtën kohë ta përkrahësh atë për udhëheqës të bisedimeve me Serbinë është hipokrizi.

Kështu tha për “Gazeta Blic”, Deputetja e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Vjosa Osmani duke folur për kundërshtimin e PDK, AAK e Nisma-s që po i bëjnë presidentit Thaçi karshi çështjes së kufijve.

“Është hipokrizi të kundërshtosh idetë për shkëmbim, ndarje apo korrigjim kufijsh, ndërsa në të njëjtën kohë të përkrahësh për kryenegociator promotorin kryesor të këtyre ideve në Kosovë, Hashim Thaçin”, ka deklaruar Osmani për Gazeta Blic.

Osmani thotë se veprimet e Veselit e Haradinajt po ndikojnë në mos arritjen e një konsensusi politikë.

Sipas saj me këtë veprim po fuqizohet ideja e Thaçit e Vuçiqit për ndryshim kufijsh.

“Pikërisht mosdistancimi i qartë i Veselit, Haradinajt dhe njerëzve përreth tyre nga Thaçi dhe insistimi i tyre që ai dhe vetëm ai, të udhëheqë dialogun, po e vështirëson arritjen e konsensusit politik dhe po fuqizon idenë e dyshes Thaçi-Vuçiç për ndryshim kufijsh”, ka thënë Osmani.

Deputetja e LDK-së, Vjosa Osmani

Theksojmë se deklarata e Presidentit të vendit, Hashim Thaçi se do të ketë korrigjim të kufijve dhe jo ndarje të Kosoës ka nxitur shume debate e kundërshtime ndaj tij.

Ndryshe, Presidenti Hashim Thaçi ka shkruar sërish për propozimin e tij për korrigjim kufijsh, pasi kryeparlamentari Kadri Veseli doli me qëndrim kundër lëvizjes së kufijve.

Thaçi e quan propozimin e tij si paqësor dhe se nuk ka të bëjë me ndarje, por me rregullim të kufijve.

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi

“Propozimi im për një zgjidhje paqësore me Serbinë është i qartë: jo ndarje në vija etnike, por korrigjim i kufirit dhe njohjen e dyanshme”, ka shkruar Presidenti në Twitter.

Veseli sot ka publikuar një shkrim, ku ka folur për idenë e lëvizjes së kufirit. Sipas kryeparlamentarit, Kosova do të anëtarësohet në OKB, me kufijtë që e ka shpallur Pavarësinë në vitin 2008.

Kryeparlamentari, Kadri Veseli

Tutje, ai ka thënë se çdo ide për ndarje është plan serb për të krijuar tensione të reja dhe për që dërguar mesazh në bashkësinë ndërkombëtare se Kosova është vend jostabil.

Në anën tjetër, Kryeministri Ramush Haradinaj, ka thënë se asgjë të vërtetë nuk ka në këtë mes, dhe deklaratat e Thaçit janë vetëm taktikë politike, për të iu përgjigjur Aleksandër Vucicit, kur ai thotë se Serbia duhet të marr veriun e Kosovës.

Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj

Haradinaj ka thënë se këto deklaratat e Thaçit për Luginën e Preshevës, janë një kundërsulm ndaj Vucicit, për t’i thënë atij se nëse ti po kërkon veriun edhe ne kërkojmë Luginën e Preshevës. Megjithatë Haradinaj ka thënë se nuk do të ketë ndarje e as shkëmbim të territoreve, sepse kjo do të thoshte luftë, dhe sipas tij në rajon më nuk do të ketë luftë.

Ai madje ka thënë se çdo kush që përmend shkëmbimin e territoreve, i bën mirë vetëm Vladimir Putinit

/GazetaBlic/

08/02/2020 09:38

“Dialogu kompleks, Hoti pa përkrahje politike”