Zgjedhjet Lokale

Haradinaj bën thirrje të votohen kandidatët e AAK-së: Njerëz të përgjegjshëm e të dëshmuar dhe kryetarë të mirë

11/10/2021 12:05
nga:Q R

Këtë të diel me 14 nëntor do të mbahet raundi i dytë i zgjedhjeve lokale në Republikën e Kosovës.

Nga Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës në balotazh kanë shkuar pesë kandidatë, të cilët garojnë për komunat e Gjakovës, Klinës, Rahovecit, Junikut dhe Istogut.

Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj, përmes një video-mesazhi, iu ka bërë thirrje të gjithë qytetarëve të dalin dhe të votojnë njeriun më të mirë për komunën e tyre, që do ta bënte komunën tuaj më të jetueshme.

Haradinaj tha se suksesi me 14 nëntor për komunat e Gjakovës, Klinës, Rahovecit, Junikut dhe Istogut është në numrin 121.

“Qytetarë të Kosovës, këtë të diel me 14 tetor, ju ftoj pa dallim përkatësie partiake, etnike, fetare apo kulturore, që të dilni e të votoni të gjithë. Ju lutem votoni për ata që do ta bëjnë komunën e juaj më të jetueshme për ju. Ju lus të mos i harroni pesë njerëz të jashtëzakonshëm të Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Ardian Gjinin, Zenun Elezin, Smajl Latifin, Agron Kuçin dhe Bekë Berishën. Jo pse janë të Aleancës, po se janë njerëz të përgjegjshëm, janë kryetarë të mirë. Jam i bindur se duke i votuar këta kryetar, ju po e bëni komunën tuaj më të jetueshme, se këta dëshmuan se dinë të punojnë me njeriun, dinë të punojnë me ju. Suksesi këtë të diele për Gjakovën, Klinën, Rahovecin, Junikun dhe Istogun është në numrin 121. Na priftë e mbara”, ka thënë Haradinaj.