Cult

Hapet panairi i veshjeve tradicionale

07/22/2019 12:53
nga:Blerim Halili

Në Sheshin “Adem Jashari” në Skënderaj sot është hapur panairi i veshjeve tradicionale, i organizuar nga Shoqata “Drugëza” dhe nën patronatin e kryetarit të Komunës, z.Bekim Jashari, në të cilin po marrin pjesë gra nga Prishtina, Kaçaniku, Malisheva, Shtimja, Mitrovica, Gjilani, Drenasi dhe Skenderaj, ku përgjatë dy ditëve sa do të jetë i hapur, do të ekspozohen punimet e veshjeve tona tradicionale.

Në hapje të panairit, kryetari Jashari ka thënë se këto ditë qyteti ynë është nikoqir i shumë aktiviteteve dhe ngjarjeve kulturore, argëtuese e sportive, për nder të ardhjes së bashkatdhetarëve për pushime në vendlindje.

Edhe ky panair është pjesë e aktiviteteve të organizuara, për çka jemi të lumtur që ka mbledhur shumë gra të zonja të cilat merren me punimin e veshjeve tradicionale, duke e ekspozuar artin e punës së dorës, ka thënë kryetari Jashari, duke shtuar se ky aktivitet do të shërbejë gjithashtu që gjenerata e re e shqiptarëve që ka lindur në shtetet larg Kosovës, të njihet për së afërmi me traditën dhe kulturën e pasur të veshjeve tona tradicionale.

“Uroj të kaloni çaste të mira në qytetin tonë dhe tuajin!
Ju lumshin duart për këto punime të mrekullueshme!”, ka uruar kryetari i Komunës, z.Bekim Jashari.​