Lajme

Hamza e sfidon Kurtin për debat, ia shtron disa pyetje publikisht: Çfarë ke bërë që katër vite?

09/27/2024 09:12
nga:N K

Bedri Hamza, kandidat i PDK-së për kryeministër në zgjedhjet e 9 shkurtit të vitit 2025, ka bërë një sfidim ndaj kryeministrit aktual, Albin Kurti, por edhe dy kandidatëve të tjerë, Lumir Abdixhikut të LDK-së dhe Ramush Haradinajt të AAK-së. Mbrëmë nga RTV Dukagjini, Hamza e sfidoi Kurtin për debat parazgjedhor.

Në fjalën e tij, Hamza ishte i qartë, duke deklaruar se do të debatonte me kënaqësi me Kurtin, Abdixhikun e Haradinajn. Për më shumë, Hamza premtoi debat të edukuar e profesional nga ana e tij.

“Me kënaqësi, me respekt dhe me krejt garancat që ka me qenë debat, po politik, profesional, por prej anës tem 100 për qind i edukuar” – tha fillimisht Hamza.

Moderatori i emisionit çuditërisht ia shtroi edhe një herë pyetjen nëse është i gatshëm për t’u përballur në debat me Kurtin, Abdixhikun e Haradinajn, Hamza ishte shumë i shkurtër:

“Me kënaqësi”

Në këtë debat, Hamza ishte i qartë edhe në një segment tjetër. Kandidati i PDK-së për kryeministër i shtroi disa pyetje kryeministrit Kurti, i cili do të jetë sërisht kandidat i VV-së për kryeministër.

“Pyetja është pse s’i ke bo që katër vjet? Çka ke bo që katër vjet për me adresu preukopimet, nevojat e qytetarëve të Kosovës. A ke rritë paga, a ke rritë pensione?” – ishin pyetjet e Hamzës.

Në emision, Hamza tregoi edhe një pyetje të shtruar nga ana e një pensionisti në Gjakovë, duke treguar edhe përgjigjen në mënyrë publike. Pyetja ishte e thjeshtë, ndërsa në përgjigjen e tij, Hamza foli për inflacionin, i cili ka qenë një problem për Kosovën, posaçërisht gjatë vitit 2022.

“Në Gjakovë, një pensionist më pyet kësht: “Bedir, me qenë ti pensionist, a mundesh me mbyll muajin me 100 euro?” Sigurisht që përgjigja është jo, jo në një kohë kur inflacioni është shumë i lartë, kur kemi përkeqësim të standardit të jetesës, kur çmimet e produkteve bazike kanë lëvizur nga 40 për qind deri në 100 per qind, t’u përfshi edhe çmimin energjinë elektrike, ndërsa të ardhurat kanë ngelur pothuajse në nivelin e njëjtë” – tha Hamza.

Pasi kritikoi në disa çështje VV-në, Hamza nuk ngurroi të tregonte se koalicioni i preferuar nga ana e tij është me LDK-në e Abdixhikut. Megjithatë, Hamza nuk ka pasur vijë të kuqe as për VV-në në lidhje me formimin e ndonjë koalicioni të mundshëm paszgjedhor.

“Për mua koalicion i preferuar për shkak të programit, koncepte politike është më i pranueshëm me partitë në opozitë. Me LDK-në. Me LVV-në për shkak të dallimeve konceptuale, të kaluarës nuk është koalicion i preferuar. Por, vijat e kuqe janë treguar të paqëndrueshme dhe një diçka që nuk e kam bërë të kaluarën, dhe nuk e kam ditur a janë të qëndrueshme a s’janë krejt, nuk e bëj as sot, kur e kam parë sot që kanë dështuar” – tha mbrëmë Hamza.