Lajme

Hamza bën homazhe në Marinë të Skenderajt: Lavdi e përjetshme komandantit Mujë Krasniqi dhe të gjithë të rënëve për lirinë tonë!

12/14/2025 12:40
nga:Genita C

Kreu i PDK-së, Bedri Hamza, ka bërë homazhe në varrezat e Marinë të Skenderajt në përvjetorin e 27-të të rënies së 41 dëshmorëve të UÇK-së, duke përfshirë komandantin Mujë Krasniqi, raporton GazetaBlic.

Ai ka vlerësuar sakrificën e tyre, që sipas tij ka ndërtuar lirinë dhe shtetin e Kosovës, duke i dhënë homazheve një kuptim të veçantë në ditën e përvjetorit të themelimit të Ushtrisë së Kosovës.

Postimi i plotë:

Në 27-vjetorin e rënies së 41 dëshmorëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, në krye me komandantin Mujë Krasniqi, bëra homazhe te varrezat në Marinë të Skenderajt.

Në mëngjesin e 14 dhjetorit, ata ranë në rrugën e lirisë, duke e përjetësuar emrin e tyre në historinë e lavdishme të Kosovës.
Sakrifica e tyre është trashëguar brez pas brezi dhe në këtë ditë, që përkon edhe me përvjetorin e themelimit të Ushtrisë së Kosovës, nderimi për ta merr një kuptim edhe më të thellë.

Liria dhe shteti që gëzojmë sot janë ndërtuar mbi sakrificën e heronjve, dëshmorëve dhe martirëve tanë. Lavdi e përjetshme komandantit Mujë Krasniqi dhe të gjithë të rënëve për lirinë tonë!