Lajme

Haliti tregon momentin kur Kurti i kishte hedhur ujë dhe e kishte gjuajtur me vezë

04/07/2021 19:34
nga:M K

Deputeti nga radhët e Partisë Demokratike të Kosovës, Xhavit Haliti, ka deklaruar se ishte vendim i tij votimi për zgjedhjen e Glauk Konjufcës për kryetar të Kuvendit të Kosovës.

Ai në Info Magazine ka theksuar se deputetët që dolën kundër votimit ishin gabim.

“Nuk ka ndonjë problem, Konjufca më ka bërë oponencë në raport me Partinë Demokratike të Kosovës. Unë mendoj se Kushtetuta të drejtën e zgjedhjes për kryetar të ri të Kuvendit të Kosovës ia jep vetëm partisë që ka më shumë vota. Unë dhe as ndonjë parti tjetër nuk do të duhej të përziheshim në çështjen e partisë, se kë do të duhej ta kenë kryetar. Duhet të kemi praktik të humbjes, po ashtu duhet ta kemi praktik edhe ecjen para me krijimin e institucioneve, i shoh gabim ata që dëshirojnë të sillen si ekstremistë si dhe ata që dolën kundër votimit”.

Haliti ka folur edhe për periudhën sa ishte Lëvizja Vetëvendosje si pjesë e opozitës. Ai ka thënë se në seancën e Kuvendit të Kosovës, më 8 tetor të vitit 2015, Albin Kurti, kryetari i LVV-së kishte hedhur ujë ndaj tij dhe gjithë anëtarëve të tjerë të Partisë Demokratike të Kosovës.

“Gjuajtja me ujë dhe vezë nga Albin Kurti, nuk ka qenë vetëm ndaj meje, ishte edhe ndaj të tjerëve. Ai i kishte kërkuar edhe Aida Dërgutit të më gjuante me vezë kur e drejtoja seancën, por ajo nuk ka pranuar. Kjo pasi më ka njohur mua dhe e ka ditur se unë betejën e zhvillojë për interesa të Kosovës dhe jo për inate”.

“Unë dhe Kadri Veseli, ishim marrë vesh në atë seancë, pasi na kishin vendosur disa aparatura që mund të komunikonim. Unë kamë hyrë në sallë ta drejtoja seancën, pasi nuk kisha dëshirë që kryetari i Kuvendit të sulmohej. Qëllimi i LVV-së ishte të mos përfundonte seanca, ata nuk dëshironin që as edhe një seancë të përfundonte”.

“Kurti më ka hedhur ujë, nuk reagova. Kur me ka gjuajtur me vezë reagova, ku u bëra thirrje kolegëve të PDK-së të mos sillen si LVV-ja me të njëjtën valutë. Isha i gatshëm të duroja gjithçka, vetëm të realizohej projekti që e kishim bërë bashkë me Veselin, seancën e kam mbyllur me miratimin e gjithë rendit të ditës”.

Haliti ka thënë se Kurti kishte një mënyrë jo të mirë të të bërit opozitë, sipas tij kjo e dëmtonte Kosovën.

“Ajo Kosovën e ka dërguar mbrapa, ai opozitarizëm ka qene ekstremist, i papranueshëm në praktikat evropiane. Ai opozitarizëm e ka dëmtuar edhe imazhin e Kosovës në raportet ndërkombëtare dhe i dimë ato shfaqje të natyrave të ndryshme. Uroj që Qeveria dhe institucionet ta kenë parasysh që beteja e brendshme është diçka tjetër dhe ajo e jashtme e diçka tjetër”.

LEXO EDHE:

Vetura godet për vdekje një fëmijë 7 vjeçar në Lipjan, Policia arreston shoferin