Lajme

Haliti: Po, njerëzit e PDK-së e LDK-së kanë kontakte, koalicioni duhet të ndodh. Qëndrimi i tij për Haradinajn president

08/13/2020 12:49
nga:Gazeta Blic

Njëri prej njerëzve më me ndikim në Partinë Demokratike të Kosovës, Xhavit Haliti insiston në hyrjen e partisë së tij në qeveri me LDK-në, AAK-në e Nismën.

Ai në një deklaratë të dhënë për Gazeta Blic ka theksuar se ka kontakte ndërmjet LDK-së dhe PDK-së për këtë çështje.

“Bisedimet mund të zhvillohen edhe në distancë. Njerëzit e PDK-së dhe të LDK-së kanë kontakte”, ka theksuar Haliti.

Megjithatë, ai tha se zyrtarisht PDK nuk e ka krijuar një ekip, apo një delegacion, i cili formalisht do t’i niste bisedimet për hyrjen në qeveri.

“Komunikimi ekziston dhe duhet të jetë me të gjitha partitë politike”, ka thënë Haliti për Gazeta Blic.

Ndonëse e mbështet fuqishëm idenë e hyrjes së PDK-së në Qeveri, Haliti thotë se nuk e di rrethanat e sakta dhe kërkesat që i kanë PDK dhe LDK për të hyrë në bashkëqeverisje. Sipas tij, e gjithë kjo do të varet nga bisedimet që do t’i zhvillojnë dy partitë politike.

Kjo është arsyeja pse PDK duhet të ndryshoj qëndrim

Ai e ka sqaruar për Gazeta Blic përse PDK duhet ta ndryshoj qëndrimin e dhënë pas zgjedhjeve se do të qëndrojnë në opozitë.

“Ne fillimisht ishim pozicionuar për të qëndruar në opozitë, mirëpo rrethanat tashmë kanë ndryshuar. PDK duhet të hyjë në koalicion, dhe të gjitha partitë politike të dakordohen për prioritetet që i kanë vendi, si biseidmet, luftimi i korrupsionit dhe temat tjera me të cilët përballet Kosova”, tha ai.

Kryetari i Degës së PDK-së në Pejë konsideron se nëse do të formohet një qeveri vetëm për ta bërë dike ministër, apo për t’ia dhënë një pozicion, atëherë më mirë mos të formohet fare.

I pyetur se a ka ndonjë kusht të caktuar PDK për të hyrë në koalicion me LDK-në, AAK-në e Nismën, Haliti ka theksuar se kjo çështje do të varet nga negociatat që do të zhvillohen.

Haliti e ka komentuar edhe shpalljen e kandidaturës së Ramush Haradianjt për president të Kosovës, duke e quajtur edhe si një dëshirë të parit të AAK-së.

“Nuk mund të paragjykoj. Dëshirat janë dëshira. Por, mendoj që Kosovës i nevojitet një president konsensual, e jo një president që nuk e ka mbështetjen e popullit, edhe pse mund të arrij t’i siguroj votat”, tha a për Gazeta Blic.

Kosova ka nevojë për president konsensual

I pyetur se a e mbështet ai personalisht Haradinajn për kryeministër, Haliti tha se as nuk është për e as kundër, ndonëse insiston që në postin e të parit të vendit të vijë dikush nga bota akademike ose nga shoqëria civile, i cili duhet të jetë edhe konsensual.

Haliti vlerëson se nuk është mirë që liderët e partive të jenë president, ngase sipas tij, ata shumë shpesh janë edhe të anshëm gjatë ushtrimit të postit.

I pyetur se a ishte Thaçi si president i anshëm, ai shton se këtë e vlerëson populli.

“Hashim Thaçi, si president natyrisht që mbështetjen më të madhe e kishte dhe e ka nga PDK, përkundër që ai ka tentuar të bëjë shkëputjen nga PDK”, tha ai.

Ndërkohë, dje lideri i AAK-së, Ramush Haradinaj e ka bërë publike kandidaturën e tij për president pas mbledhjes së Këshillit Drejtues të partisë së tij.

Ai pas kësaj mbledhjeje, ka deklaruar se është për riformatim të qeverisë dhe se ka marrë mbështetjen e partisë që të jetë president.

“Sot në takimin me strukturat udhëheqëse të Aleancës, u diskutuam për zhvillimet politike dhe qeverisëse në vend, me theks të veçantë tek menaxhimi i pandemisë, rimëkëmbja ekonomike, dialogu Kosovë-Serbi dhe mbarëvajtjen e koalicionit qeverisës.
Aleanca qëndron fuqishëm në përkrahjen e menaxhimit efektiv të pandemisë, duke përkrahur bizneset dhe lirinë e lëvizjes së qytetarëve, me masa të propozuara nga ekspertët shëndetësor.

Gjithashtu në dialogun me Serbinë, ne jemi për marrëveshje që sjell njohjen në kufijtë ekzistues, duke ruajtur karakterin unitar të Kosovës së 17 shkurtit.
Ne jemi kundër dialogut teknik, i cili për më shumë se një dekadë i ka shkuar në favor vetëm Serbisë, duke e lënë Kosovën të izoluar.
Falënderoj Këshillin Drejtues, për besimin e tyre, për autorizimin që me dhanë, që në emër të Aleancës të zhvilloj bisedimet eventuale për rikonfigurimin e qeverisë, përfshirë këtu edhe çështjen e presidentit. Besimin që unë të jem kandidat për president, nëse kjo diskutohet në bazë të kushtetutës, e konsideroj si përgjegjësi të lartë dhe nder të veçantë”, ka shkruar dje Haradinaj.

Në anë tjetër, pas shpalljes së kandidaturës për president, ka reaguar edhe lideri i LDK-së, Isa Mustafa.

Ai ka theksuar se me AAK-në do ta diskutojnë emrin e presidentit.

Pasi kandidoi Haradinaj për president, vjen deklarata e Isa Mustafës

 

05/13/2020 21:29

“Rekomandon” Xhavit Haliti: LDK e PDK duhet të bëjnë koalicion të ri