Xhavit Haliti, ish-deputet i Kosovës, ka komentuar mbi situatën politike në vend, duke theksuar se Kryeministri Albin Kurti dhe lideri i NISMA-s, Fatmir Limaj, kanë përgjegjësi publike para elektoratit që i ka votuar, raporton GazetaBlic.
Haliti për GazetaBlic ka theksuar se, nëse janë takuar apo jo, kjo mbetet e paqartë, por ka shtuar se çdo marrëveshje politike duhet të jetë transparente.
Ai ka nënvizuar se besa politike duhet të mbetet e shenjtë dhe se Limaj duhet të njoftojë partnerët e tij për çdo ndryshim në marrëdhëniet politike.
“Pa pretenduar se kam ndonjë informatë apo jo lidhur me mjegullnajën e ngritur, se u takuan apo nuk u takuan Kurti e Limaj, dua të jem i qartë: këta janë shtetas të Kosovës, janë kryetarë partish, janë zgjedhur deputetë dhe kanë përgjegjësi publike para elektoratit që i ka votuar, kushtetuese, ligjore e partiake. Por Fatmiri ka edhe një përgjegjësi shtesë, që është besa (e besë në politikë s’ka) ndaj partnerit të vet, AAK-së, me të cilin duhet të jetë i drejtë dhe të paktën ta njoftojë për shkurorëzimin politik me AAK, ose kjo është një tymnajë mediatike dhe strategji e të mëdhenjve për t’iu lehtësuar vehtes thyerjen e akullit dhe edhe ata t’i fillojnë negociatat”, tha Haliti.
“E vetmja parti në Kosovë që në “gazanin qeverisës” nuk e ka pasur partner VV është PDK, ndërsa të tjerat kanë qenë në kazanin apo vorbullën e përbashkët politike dhe fetat e tepsisë që iu mundëson pushteti i kanë ndarë së bashku. Kjo nuk do të thotë që PDK nuk ka pasur takime publike e jopublike dhe nuk ka ndarë mesazhe me VV dhe me të gjitha partitë”, shtoi ai.
Haliti ka theksuar gjithashtu se Kurti mund të kërkojë mbështetje nga partitë më të vogla, si Nisma Socialdemokrate, për të formuar qeverinë, por qëndrueshmëria e një koalicioni të tillë mbetet e pasigurt.
Ai ka përmendur gjithashtu se heshtja e dy liderëve mund të tregojë për një takim të mbajtur mes tyre, por sipas tij, akoma nuk kanë arritë ndonjë marrëveshje.
“Partia fituese është në përpjekje për t’i mbledhur votat për të krijuar qeverinë, opozita ka një qëndrim të vetin, por s’ka kandidatin e përbashkët për Kryeministër, gjë që e dobëson në raport me fuqinë elektorale të VV. Prandaj, sipas meje, në këtë rast çdo gjë është e mundshme, por aktualisht e vështirë për t’u parashikuar, sepse publiku është lodhur nga dezinformatat dhe debatet shterpë televizive, të cilat shumica janë zhurma çorientuese, sesa mund të quhen debate”, tha ai.
“Në vështrimin tim, Kurti ka nevojë për të bërë koalicion me një parti të vogël që ia mundëson të kalojë ylberin, siç është Nisma Socialdemokrate, parti me ideologji të majtë si VV, e cila kushtetuesisht e plotëson qeverinë me pakicat, duke përjashtuar Srpska Listën. Por se sa do të jetë i qëndrueshëm ky lloj koalicioni mbetet të presim. Sa i përket heshtjes së Limajt dhe Kurtit dhe zhurmës se a janë takuar apo jo, mendoj që janë takuar, por akoma s’kanë arritur të bëjnë marrëveshje”, shtoi ai.
Tutje Haliti tha se, Kurti është duke analizuar kërkesat e Limajt dhe janë pajtuar për heshtje deri në momentin kur arrihet diçka e re.
“Besoj që kërkesat e Limajt janë duke u analizuar nga Kurti dhe gjithmonë në këto raste ka takim të parë, të dytë e të tretë. Heshtja dypalëshe është tregues i mirë që kanë një marrëveshje për mostransparencë dhe për të heshtur”, tha Haliti për GazetaBlic.