Lajme

Haliti: Albin Kurti është lodhur nga udhëtimet e kota, është mërzitur nga vizita me zero sukses në Amerikë

10/01/2024 20:01
nga:G C

Deputeti i PDK-së, Xhavit Haliti, theksoi rëndësinë e rolit të opozitës në demokraci gjatë një deklarate për GazetaBlic.

Ai përmendi se opozita ka mundësinë dhe përgjegjësinë të kontrollojë dhe kritikojë qeverinë, duke shtuar se fatmirësisht, ajo ka vepruar me urtësi dhe pa dhunë për të marrë pushtetin.

“Në demokraci, opozita qeverisë, sepse i ka të gjitha mundësitë ta kontrollojë dhe kritikojë qeverinë për të bëmat e saj dhe të pabëmat. Fatmirësisht, opozita ka vepruar me urtësi dhe nuk po pretendon që dhunshëm ta marrë pushtetin”, tha Haliti.

Haliti e kritikoi Kryeministrin Albin Kurti, duke thënë se opozita e kishte lutur për zgjedhje të parakohshme, por i kishte mashtruar. Ai shprehu habi për reagimin e qeverisë ndaj kritikave, duke përmendur se opozita nuk ka përdorur mjete të dhunshme dhe ka ruajtur një ton të respektueshëm në kritikën e saj.

“Ne e kemi lutur Kurtin për zgjedhje të parakohshme, por na ka mashtruar; tani po merziten që po i kritikojmë. Çudi për ta që nuk po u bëjmë filikaqave, nuk po u hedhim lotësjellës në Kuvend, nuk po i gjuajmë me gurë policët e as me vezë e ngjyrë deputetët, dhe kryeministrin nuk po e quajmë poqavër, por edhe kur po e kritikojmë, po i drejtohemi me “Zoti Kryeministër!”, shtoi tutje.

Ai po ashtu ngriti shqetësime për keqpërdorimet dhe keqmenaxhimin nga ana e qeverisë, duke theksuar se ndihma e nevojshme për qytetarët po injorohet. Haliti kritikoi udhëtimet e Kryeministrit, duke thënë se ato janë të kota dhe pa rezultat, duke përmendur takimet e dështuara në Amerikë dhe ndjenjat e frustrimit që kanë shprehur.

“Tani, kur informohemi për keqpërdorime të qeverisë dhe keqqeverisje, na duhet të kritikojmë, por disi më ëmbël, sepse na nevojitet ta ruajmë Kryeministrin, se mezi e kemi. Ai është lodhur nga udhëtimet e kota e pa rezultat. Është merzitur nga vizita me zero sukses në Amerikë, por në vend që të pritet të paktën në Departamentin e Shtetit të SHBA, bëri disa takime në koridoret e ndërtesës së OKB-së. Ishte ankuar që s’ia kanë dhënë fjalën Binit, sepse e kishte përgatitur fjalimin, por më keq, s’iu ndanë as karrigen e nderit në sallën ku mbahen mbledhjet e Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së. Ishte merzitur që fjalimi i Kryeministrit të Shqipërisë ishte duartrokitur dhe komentuar në të gjitha rangjet e politikave ndërkombëtare (ndoshta Edi duhet ta kishte rregulluar fjalimin e Albinit). Besoj se pas atij fjalimi, Shqipëria do priste edhe disa vjet të tjera derisa t’i jepej mundësia Shqipërisë të zgjedhë një Kryeministër tjetër për të filluar negociatat e pranimit në BE”, shtoi Haliti.

Në përfundim, ai theksoi se pavarësisht arritjeve të pretenduara në sektorë si arsimi dhe shëndetësia, realiteti është ndryshe, me shumë probleme të pazgjidhura që prekin qytetarët e Kosovës.

“Në konferencën e sigurisë në Varshavë, me siguri do t’i tregojë se është duke u përgatitur për luftën që do t’i shpallë njëherazi Serbisë dhe Rusisë, dhe uroj që, nëse ia japin fjalën, të marrë duartrokitje frenetike, që me këtë rast do ta bëjë gjeloz edhe Sekretarin e Përgjithshëm të NATO-s, i cili posa e ka marrë detyrën. Kryeministri dhe ministrat e tij po injorojnë e sabotoni detyrimet e tyre në raport me Parlamentin”, thotë Haliti.

“Sipas Institucionit Kopështi i Bashkuar, ne kemi të arriturat më të mëdha në rajon. Ashtu qoftë, por e vërteta është krejt ndryshe: arsimi, shëndetësia, të drejtat ligjore të punëtorëve, paga mesatare e garantuar, dhe ambienti i kontaminuar”, përfundon ai për GazetaBlic.

Zemaj: Ky mandat dështimi po mbaron, shumë shpejt përfundon edhe keqqeverisja e VV’së