Lajme

Halil Matoshi i reagon ashpër Edi Ramës: Serbia mësyn me ardhë e me na marrë çdo gjë!

07/29/2021 22:28
nga:Q R

Njohësi i çështjeve politike, Halil Matoshi, i ka reaguar ashpër kryeministrit të Shqipërisë, Edi Rama, pas formimit të iniciativës “Open Balkan”, bashkë me kryeministrin serb dhe atë të Maqedonisë së Veriut.

Në reagimin e tij, Matoshi përmendi pikat që Serbia synon t’i arrijë përmes kësaj iniciative.

Madje, Matoshi “godet” ashpër kryeministrin e Shqipërisë, Edi Rama.

Reagimi i tij i plotë:

Po, zotni Rama. Serbia mësyn me ardhë e me na marrë çdo gjâ!
1.
Brigjet e rrugës kah po ecte kâmë Vučić në Shkup, deri te Ura e Gurit, i lag Vardari, ku Leo Freundlich më 1913 kishte pa me sy mija trupa që uji i kush nxjerrë sipri.
Ishin shqiptarë!
Ai i bâni t’zâshme botnisht këto krime tek Golgotha Shqiptare!
Shqiptarë t’pa armatosun ishin vramë e therrun me bajoneta nga serbët, mas betejës së Kumanovës.
Për ato mizori të dokumentueme mirë, falë edhe raportimeve nga fronti i Luftës së Parë Ballkanike, 1912 – 1913, ku Law Trotsky kishte ardhë si korrespondent për gazetën e majtë më të popullarizuar në Rusinë Jugore, “Kijevskaja misl”, duhej me u kujtu Kryeministri i Shqipnisë Edi Rama, sot tem salutonte kalumtarët e rastit në Shkup!?
“Dy ditë pas mbrritjës sime në Shkup, e para gjâ që do të shihej në mjes, ishte grumbulli e kufomave të shqiptarëve me koka të thyeme nën Urën e Vardarit, mu në qendër të qytetit. Disa thojshin se ishin shqiptarë, të cilët ishin mbytun nga çetnikët” – shkruente Lev Davidovich Bronstein (Leon Trotsky.)
Serbia erdhi dhe na mori çdo gjâ!
2.
Më 29 korrik, 2021, 22 vjet mas luftës së Kosovës, në të njâjtat brigje të lame me gjakun e paraardhësve, do shqiptarë (në kurthin e Edi Ramës) bajshin ‘selfie’ me treshen që prihej nga Vučić-i.
3.
I ekzaltuem nga mbështetja e ekscentrikut Rama, “Kralji i fundit serbian” Aleksandar Vučić tha se në “Ballkanin e Hapun” (Mini Schengen!???) nga Beogradi në Tiranë serbët do të shkojnë pa i ndalë kush!?
Pse po kanë qef dytë (Vučić e Rama) mos me pasë asgjâ ndërmjet tyne!?
Për me shku n’Tiranē, serbët duhet me kalu nepër nji shtet tjetër sovran, që quhet Republic of Kosovë!
Vučić po e përdor Ramën trupmadh e mendjemadh, mos me e pa Kosovën ndërmjet tyne!
4.
Në anën tjetër Rama sikur të ishte në vitin zero, flet për nji Serbi të mirë (historikisht të mirë!?) dhe për parabojakët shqiptarë se Serbia si fuqi ma e madhe po vjen e na i merr të gjitha!?
Ardhja e Serbisë nuk âsht mit. Ajo âsht fakt historik.
Ajo kalli Lumën më 1912, masi pushtoi Kosovën me hekur e zjarr.
Serbia erdhi dhe na mori çdo gjâ!
5.
Gazeta ‘Reichpost’ në artikullin me titull ‘Kasaphanja serbe në Shqipni”, përshkruente mizoritë e soldateskes serbe pikērisht në Shkup.
“Thuhet se 100 nga 320 shqiptarë të plagosun në Shkup, u lejuen me dekë uni. Në nji vend tjetër, të rinjtë janë vra, kurse fëmijët janë ngulun n’bajoneta.
12 mijë shqiptarë janë masakru në Ferizaj. Fatkeqët u grinë pavarësisht moshës apo gjinisë.
Njëzet e shtatë fshatna janë shkrumue në rrethin e Lumës, kurse gratë dhe fëmijët janë lidhë dhe janë djegë për së gjalli. Katërqind burra, që u dorëzuen janë qëllu me plumb…”
Serbia erdhi dhe na mori çdo gjâ!
6.
Serbia u rikthy në Kosovë mas Luftës së Parë Botnore dhe me Reformën Agrare (1924) shpronsoi shqiptarët dhe i përzuni e vrau dheta mija, tue u marrun shpi e katandi.
Njâjt ndodhi gjatë monarkisë së Aleksandar Karadjordjeviç!
Serbia nër ‘yllin partizan’ e ripushtoi Kosovën më 1944 dhe vrau të paktën 15 mijë shqiptarë, burgosi e persekutoi qinda mija tjerë.
Gjatë epokës se famëkeqit Aleksandar Ranković, (1945-1966) dheta mija shqiptarë të Kosovës u torturuen dhe qinda u vranë.
Lufta e fundit (1998-1999) realisht ishte gjenocid, sepse ekzistonte qëllimi i zhdukjës së shqiptarëve.
Fashizmi serbian vrau 12 mijë shqiptarë dhe plaçkiti krejt çka munej me u bâjtë me trena e kamionë, e bâni shkrum e hi ekonominë e Kosovës…
Serbia erdhi dhe na mori çdo gjâ!
7.
Cili âsht morali i asaj që thotë Edi Rama, se Serbia nuk âsht ajo e vjetra!?
Kur Vučić blen raketat ruse‘Pantsir’ si dhe avionë Mig29 e dronë, ministri i tina i ushtrisë, Vulin thotë se ka me i nisë drejt Kosovës!?
E Rama tallë ata shqiptarë që pandehkan se Serbia po vjen dhe ka me na marrë çdo gjâ që kemi!?
Po.
Serbia erdhi dhe na mori çdo gjâ!
8.
Serbia e të tretit Aleksandar ‘vožd’, nuk e njeh Kosovën dhe don qe me nji “hopa” të zbresë në Tiranë, tue zhbâ nga harta gjeopolitike Kosovën për të cilën luftoi ShBA dhe NATO!?
Dhe natyrisht kosovarët e UÇK-së!
Serbia nuk ka hjekë dorë nga qëllimi final: Zgjidhja përfundimtare e çâshtjes shqiptare në Kosovë.
Me gjenocid.
Serbia po mësynë me na marr çdo gjâ!
Sepse, çdo gjâ qe kanë shqiptarët e Kosovës âsht liria kombëtare!
Atë e synon Serbia, Zotni Rama!