Lajme

Haki Abazi: Vetëvendosje ka lidhur vetëm një koalicion

04/10/2020 14:10
nga:Gazeta Blic

Zëvendëskryeministri në detyrë, Haki Abazi, ka theksauar se Vetëvendosje ka vetëm një koalicion, atë me qytetarët.

Ndërkaq Abazi, i cili ka më pak se një vit prej që është anëtarësuar në LVV, thotë se partia e tij ka vetëm një koalicion atë me qytetarët

“LVV ka vetëm një koalicion, një partneritet dhe vetëm një borxh- vetëm me qytetarët e vendit që jetojnë këtu apo në mërgatë”, ka shkruar Abazi.

Ky reagim i tij vjen pas deklaratave të Konjufcës e Kurtit që nuk e kanë përjashtuar mundësinë e një koalicioni me PDK-në.

Ndryshe, presidenti i vendit, Hashim Thaçi, sot përmes një letre drejtuar kreut të Vetëvendosjes, Albin Kurtit, i ka kërkuar sërish që ta propozojë kandidatin e ri për kryeministër për ta formuar Qeverinë e re, pas mocionit të mosbesimit që rezultoi me rrëzimin e Qeverisë.

Thaçi i ka thënë Kurtit se është në pritje të përgjigjes së tij në kërkesën që ia ka përcjellë më datë 2 prill 2020 për të propozuar kandidatin/en për Kryeministër dhe formuar Qeverinë e Republikës së Kosovës.“Siç e dini, pas mocionit të mosbesimit ndaj Qeverisë të datës 25.03.2020, kam zhvilluar takime konsultative me të gjitha partitë politike të përfaqësuara në Kuvend për të vlerësuar nëse është në interesin e partive politike formimi i Qeverisë së re apo shpërndarja e Kuvendit. Shumica e partive politike janë deklaruar që janë për formimin e Qeverisë së re.

Në këtë drejtim, duke marrë parasysh aktet e sipërpërmendura ua kam dhënë mundësinë që si Lëvizje Vetëvendosje të propozoni kandidatin/en për Kryeministër.

Qytetarët e Republikës së Kosovës dhe partitë politike të përfaqësuara në Kuvendin e Republikës së Kosovës, me të drejtë presin funksionalizimin e Qeverisë së re dhe presin nga unë të dekretoj kandidatin/en e propozuar për Kryeministër”, shkruan në letrën e Thaçit drejtuar Kurtit.

Në këtë letër zyrtare, Thaçi dhe një herë ia ka rikujtuar Kurtit se mandati i tij kushtetues e obligon që të garantojë funksionimin demokratik të institucioneve të Republikës së Kosovës, duke përfshirë edhe sigurimin e emërimit të kandidatit apo kandidates për Kryeministër për të formuar Qeverinë e Republikës së Kosovës.

 

Thaçi sërish letër Kurtit, ia kërkon emrin e mandatarit