Lajme

Haki Abazi kishte deklaruar më 2018 se vrasësit e Astrit Deharit mund të jenë brenda VV-së, Albulena Haxhiu kërkon “sqarime”

01/07/2020 00:19
nga:Gazeta Blic

Deputetja e Lëvizjes Vetëvendosje dhe e nominuara për ministre të Drejtësisë, Albulena Haxhiu, thotë se propozimi i emrave për kabinet qeverisës, tregon se Vetëvendosja nuk lufton për pozita.

Kjo sipas saj për shkak se dy emra nuk janë nga Lëvizja Vetëvendosje.

“Për mua është nderë kur një organizatë si Vetëvendosje ta jep një përgjegjësi të tillë. Nuk kanë pse të frikësohen gjyqtarët e prokurorët nga unë”, ka thënë ajo.

Haxhiu thotë se edhe zbardhja e rastit “Dehari” do të jetë prioritet i qeverisjes së Vetëvendosjes.

Duke folur për një deklaratë të Haki Abazit i cili përmes një postimi në Facebook kishte shkruar se vrasësit e Deharit mund të jenë nga Vetëvendosje, ajo ka thënë se ai duhet të jap sqarim për këtë.

“Unë nuk mund të jap ndonjë mendim për këtë deklaratë që nuk e kam lexuar. Besoj që Abazi duhet ta sqarojë këtë. Por të gjithë qytetarët e Kosovës në këtë rast edhe Abazi që kanë menduar që është vetëvrasje e kanë marrë vesh që nuk ka qenë e tillë dhe kjo është bërë e ditur nga raporti zviceran”, ka thënë ajo.

Haxhiu thotë se ka qenë kritike ndaj aktgjykimit lirues të rastit “Pronto”.

“Ajo çfarë kam thënë është se një aktgjykim i tillë ka qenë i papranueshëm, për shkak se të gjithë e kemi dëgjuar aferën ‘Pronto’. Gjykata tashmë e ka marrë vendimin, dhe unë nuk pajtohem se sistemi i drejtësisë e ka lirinë se bëjnë çfarë të duan, sepse gjithçka nisë ‘me emër të populli’. Zonja prokurore e ka dërguar rastin në Gjykatë dhe ata janë shpallur të pafajshëm”, thotë ajo.

Ajo thotë se askush nuk ka nevojë t’i frikësohet qeverisjes së Vetëvendosjes pasi e njëjta do të krijojë shtet të së drejtës.

Sipas saj, nga fillimi i qeverisjes do të fillojë procesi i vettingut.

“Ka shumë çështje që duhet të ndodhin paralelisht. Qeverisja jonë do ta trajtojë në mënyrë të dinjitetshme Kuvendin e Kosovës. Sa i përket sistemit të drejtësisë i pari do të jetë vettingu e pastaj ligji anti-mafia, ligji për vërtetimin e pasurisë së pa justifikueshme, shërbimi korrektues të Kosovës, krimet e luftës ku vetëm tre prokurorë janë që merren me këtë cështje”, ka thënë ajo.

Ndërkaq për nomimin e Blerim Rekës për ministër të Punëve të Jashtme, ajo ka thënë se Vetëvendosje ka bërë zgjedhje të duhur.

Për Rozeta Hajdarin e propozuar për ministre Ekonomisë, Tregtisë dhe Industrisë, Haxhiu thotë se ka qenë njëra ndër gratë që e ka ndihmuar jashtëzakonisht shumë Vetëvendosjen.