Lajme

Hajdar Beqa i PDK-së, dyshon se Sveçla e Selmanaj punojnë për agjentura turke

03/14/2019 00:18
nga:Gazeta Blic

Dyshime se punojnë për ndonjë agjenturë turke, dhe rrjedhimisht kanë qenë të pa interesuar për të zbardhur të vërtetën për rastin e deportimit të gjashtë shtetasve turq, ka hedhur mbi deputetët Xhelal Sveçla e Driton Selmanaj, kolegu i tyre, Hajdar Beqa.

I pari ka qenë anëtar, e i dyti nënkryetar i Komisionit Hetimor Parlamentar për Zbardhjen e Çështjes së Deportimit të gjashtë shtetasve turq nga Kosova, gati një vit më parë.

Por kjo nuk ka qenë akuza e vetme që deputeti i PDK-së, anëtar i këtij Komisioni, e ka bërë në drejtim të dy drejtuesve të Komisionit, që vijnë nga opozita. Në “Interaktiv” të KTV-së, ai ka thënë se Sveçla e Selmanaj kanë bërë shkelje ligjore, pothuajse në secilën mbledhje.

“Kanë bërë shkelje nga mbledhja e parë deri në të fundit. Kanë dëgjuar palët e dëshmitarët edhe pa kuorum. Janë dëgjuar me 2, 3, 4 deputetë, derisa për Kuorum janë dashur të jenë së paku 6 deputetë”, ka thënë Beqa, përcjell Koha.net.

“Ka pasur raste kur mbledhja e Komisionit është thirrur në kohët Seancës së Kuvendit. Për deputetin seanca është ngjarja më e madhe”, ka thënë ai.

Ai ka thënë se dështimi i punës në Komisionin Hetimor është për “paaftësi të tyre për të menaxhuar dinamikën e punës të cilën e kanë përcaktuar paraprakisht të gjithë anëtarët e Komisionit.

“Kam dyshim se nuk kanë qenë të interesuar për ta kryer punën. Madje dyshoj se punojnë për ndonjë agjenturë turke dhe janë të painteresuar për ta zgjidhur çështjen dhe të vërtetën”, ka thënë ai.

Ka thënë gjithashtu se “tentativat e Sfeçlës dhe Selmanajt për të hedhur fajin te të tjerët janë të pabaza, ose janë përpjekje për të mbuluar dështimin e tyre”.

pas qenë unë kryetar nuk kishte dështuar Komisioni”, ka shprehur bindjen ai, duke mohuar se partia të cilës i përket ka qenë e interesuar për ta dështuar punën e këtij Komisioni, meqë siç e kanë akuzuar partitë opozitare PDK-ja ka qenë e interesuar që kjo të ndodhë meqë përgjegjësia kryesore për deportimin e 6 gylenistëve duhet të bjerë mbi presidentin Hashim Thaçi.

“Komisioni i ka pasur 11 anëtarë, PDK-ja vetëm 2 anëtarë. Çdo vendim aty ka mundur të merret me 6 anëtarë, pra pa dy të PDK-së aty kanë qenë 9 anëtarë”, thotë ai.

Ka akuzuar dyshen Sveçla e Selmanaj edhe pse i bënë publike dhe ia dorëzuan Prokurorisë gjetjet e Komisionit.

“Mandati jonë është marrë nga Kuvendi, në harmoni me ligjin. Mandati jonë ka qenë që ta hartojmë një raport, të cilin duhet t’ia dorëzonim Kryesisë së Kuvendi, në mënyrë që i njëjti të miratohet ose jo në seancë. Ne nuk kemi arritur ta kryejmë punën tonë, sepse vetëm kemi dëgjuar të gjitha palët, i kemi dëgjuar edhe familjarët dhe avokatët, por nuk kemi arritur të përfundojmë raportin. Kur në thirri kryetari për të miratuar raportin, ne veç ishim pa mandat. Nuk ka qenë mandati ynë që gjetjet t’ia dorëzojmë mediave e Prokurorisë sepse nuk na ka dhënë mandatin Prokuroria por na ka dhënë Kuvendi”, ka thënë ai.

Si shkelje e ka përmendur edhe përfshirjen e një ekspertit të huaj në Komision, pa e bërë verifikimin e tij nga AKI-ja, nëse i njëjti punon për ndonjë shërbim të huaj.

Sidoqoftë, ka thënë se tash Prokuroria është duke e kryer punën e vet, dhe sipas tij, ai dhe PDK-ja janë të interesuar që të zbardhet e vërteta rreth kësaj ngjarje.

Kjo ngjarje u kthye në vëmendje të publikut pas reagimit fillimisht nga SHBA-ja, e përkrahur edhe nga Britania e Madhe, që kërkoi përgjegjësi institucionale në Kosovë rreth kësaj ngjarje.

Ndërkohë në Turqi, Prokuroria ka ngritur aktakuzë dhe kërkon dënime me burg nga 16 vjet e gjashtë muaj deri në 28 vjet e gjashtë muaj me akuzat “Drejtim i një organizate terroriste të armatosur” dhe “Spiunim ndërkombëtar”.