Lajme

“Grenell ndërhynë në VV e LDK, vetëm nëse këto dy parti janë pro agjendës së Trump për marrëveshjen Kosovë-Serbi”

01/23/2020 10:11
nga:B. D

Gjatë ditës së djeshme, në Kosovë arriti përfaqësuesi Special i Presidentit të ShBA-së, Donald Trump, Richard Grenell, shkruan GazetaBlic.

E gjatë ditës së sotme, Grenell pritet të takohet me dy liderët politik të partive të para që dolën nga zgjedhjet e 6 tetorit.

Ai sot do të takohet me kryetarin e VV-së, Albin Kurti dhe më pas me kryetarin e LDK-së, Isa Mustafa, e që temë diskutimi pritet të jetë dialogu Kosovë-Serbi.

Analisti politik, Arton Demhasaj, në një prononcim për GazetaBlic ka thënë se esenca e takimeve të Grenell me përfaqësuesit politik ka të bëjë me përshpejtimin e procesit të dialogut Kosovë-Serbi në mënyrë që mes këtyre dy shteteve të arrihet marrëveshje.

“Esenca e takimeve në Kosovë nga Grenell është çështja e shtyrjes së dialogut dhe arritjes së marrëveshjes brenda një kohe të shkurtë mes Kosovës dhe Serbisë, kështu që edhe takimet që kanë me u zhvillu me Kurtin dhe Mustafën kanë me qenë në aspektin e dialogut”, tha ai.

Ai tha se në rast se mund të ketë shenja pozitive gjatë diskutimit për dialogun Kosovë-Serbi, e që të dyja palët janë në dakordim që sa më parë të ketë marrëveshje mes dy shteteve, atëherë mund të pritet që edhe krijimi i Qeverisë së Kosovës të bëhet shumë shpejtë mes VV-së e LDK-së.

“Në rast se Grenell ka marrë shenja pozitive nga Kurti dhe Mustafa që kanë me shty tutje dialogun që me arrit një marrëveshje brenda një kohe të shkurtë ka me qenë edhe shkëndija e parë që një marrëveshje shumë shpejtë mundet të arrihet pastaj mes VV-së dhe LDK-së dhe me shku drejtë krijimit të Qeverisë”, tha Demhasaj për GazetaBlic.

Ai tha se ardhja e Grenell nuk është e lidhur specifikisht me koalicionin VV-LDK.

“Ne e dimë se si funksion diplomacia, kështu që nuk besoj se Grenell si ambasador i Amerikës në Berlin, në një farë mënyrë është shef i të gjithëve ambasadorëve të ShBA-së në gjithë Evropën që do i shkoj direkt me iu thënë që të arrijnë marrëveshjen e koalicionit, diplomacia nuk funksionon kështu, funksionon më ndryshe”, tha ai.

Demhasaj tha se ka mundësi që pikërisht që kjo ardhje e Grenell në lidhje me dialogun Kosovë-Serbi të detyroj VV-në e LDK-së të arrijnë marrëveshjen në përfundimin e javës.

“Kështu që në bisedë mundet të jetë çështja e arritjes së marrëveshjes së koalicionit, por nuk shtyhet tutje kjo nëse nuk binden se një partneritet i tillë mund ta shtyjë dialogun, pra kanë me shqyrtu dialogun dhe do të shtyhet presioni që marrëveshja me u arrit dhe që një marrëveshje e tillë edhe mund të arrihet deri ne vikend”, shtoi Demhasaj për GazetaBlic.

02/27/2020 20:12

A pritet që LDK-ja dhe Grenell t’i japin “goditjen” e parë Kurtit pas vendimit për taksën, flasin analistët