Lajme

Glauk Konjufca paralajmëron ‘goditje të forta’ këtë të enjte për Dardan Molliqajn

04/09/2019 19:31
nga:A. R.

Shefi i Grupit Parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje, Glauk Konjufca, ka paralajmëruar ‘goditje të forta’ për deputetin e PSD-së, Dardan Molliqaj.

Këtë e bëri të ditur zyrtari i VV-së, Valdrin Ahmeti, i cili në llogarinë e tij Instagram, ka postuar një fotografi me Konjufcën, teksa ka thënë se “Glauku po thotë që për të enjten i ka ca goditje të forta”, ka shkruar zyrtari i partisë së Albin Kurtit, gjersa nuk ka dhënë detaje se për kë bëhet fjalë.

Burime të Gazetës Blic, brenda Lëvizjes Vetëvendosje, kanë konfirmuar se paralajmërimi i Konjufcës është për Dardan Molliqajn, teksa nuk kanë dhënë më shumë detaje.

“Po, për Dardanin është diçka. Për cka e qysh nuk mund të flas”, ka thënë burimi i Gazetës Blic, brenda Lëvizjes Vetëvendosje.

“Goditja” e Konjufcës pritet të bëhet në tubimin e Lëvizjes Vetëvendosje, këtë të enjtë, duke filluar nga ora 18:00, që do të mbahet në Sallën e Kuqe, në Prishtinë.

Ish-sekretari i VV-së, tani deputet i PSD-së, Dardan Molliqaj, prej që ka dalur nga partia e Kurtit, ka pasur përplasje me Glauk Konjufcën.

Akuza dhe kundër-akuza ka pasur mes tyre, për më shumë se një vit.

Molliqaj ka akuzuar Konjufcën, se ka qenë pjesë e Shërbimit Informativ të Kosovës (ShIK), që është udhëhequr nga kryetari i tanishëm i Kuvendit, Kadri Veseli.

Kjo akuzë e Molliqajt ndaj Konjufcës, ishte bërë në seancën 2 shkurtit të këtij viti, në njërën nga seancat e Kuvendit.

“Glauku prin sdi sa e dini po Glauku u kanë në PDK në AAK tash është në VV, unë e ftojë Glauk Konjufcen qysh 1 vjet ditë ka qenë në ShIK këtë e kam marr vesh. Mirë është me kallxu ti edhe tjerët një ka një që jeni kanë në ShIK e po du me ta pa moralin edhe etikën”, pati thënë Molliqaj.

Ndërsa për këtë deklaratë Konjufca i është përgjigjur Molliqaj duke i thënë se “i pranoj pretendimet e Dardanit nëse ka fakte për këtë shpifje”.

Pas shumë deklaratave mes tyre për këtë çështje, Molliqaj ka paralajmëruar se “dëshmitë se Glauk Konjufca ka qenë pjesë e ShIK-ut, do t’i publikojë gjatë seancës së Kuvendit, që do të mbahet më 12 prill”.

Molliqaj pati shtuar Konjufca mund ta mbyllte këtë çështje duke e pranuar këtë fakt dhe jo të fshihej ose të shkonte në gjykatë.

Por, duket se këtë nuk do ta bëjë shefi i deputetëve të VV-së. Tashmë ai ka paralajmëruar goditje për Molliqajn, vetëm një ditë para seancës së 12 prillit (këtë të premte), në të cilën pritet që deputeti i PSD-së të dalë me “dëshmi që Konjufca ka qenë pjesë e ShIK-ut që udhëhiqej nga Kadri Veseli”.

Gazeta Blic, ka tentuar që të flas me deputetin e PSD-së, Dardan Molliqaj, por kontakti me të ka qenë i pamundur.

Ani pse ende nuk është caktuar seanca gjyqësore për këtë rast, shumë shpejt pritet një ballafaqim i Konjufcës me Molliqajn, për këtë deklaratë.

Akuza mes tyre ka pasur pandërprerë edhe për gjëra të tjera. Që nga Kuvendi e deri tek studiot televizive, Konjufca dhe Molliqaj, vazhdimisht kanë pasur përplasje mes vete, për shumë gjëra.

Dardan Molliqaj së bashku me 12 deputetë, para më shumë se një viti, kanë dalur nga Lëvizja Vetëvendosje.

Ish-sekretari i Përgjithshëm i Lëvizjes Vetëvendosje, së bashku me 11 deputetë tjerë kanë kaluar në Partinë Socialdemokrate, teksa e zgjodhën kryetar të partisë, kryetarin e Prishtinës, Shpend Ahmeti.

Për dallim nga këta, ish-deputetja e VV-së, Donika Kadaj-Bujupi, vendosi që karrierën e saj politike, ta vazhdojë në partinë që ishte më parë – Aleancën për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), të udhëhequr nga kryeministri Ramush Haradinaj.

/Gazeta Blic

12/15/2019 19:09

Molliqaj: Kosovën po e pret qeverisja populliste me mendësi totalitare