Sporti

Gjykoi ndeshje vendore e ndërkombëtare, Kastrati: Viti 2022 ishte më i suksesshmi deri më tash në karrierën time

01/02/2023 10:15
nga:Mergim Rreci

Visar Kastrati është në mesin e gjyqtarëve më të njohur në futbollin kosovar.

Ka drejtuar shumë ndeshje në Superligën e Kosovës gjatë karrierës 12 vjeçare dhe gjithashtu ka bërë hapin e madh duke drejtuar edhe ndeshje në Evropë, shkruan GazetaBlic Sport.

Në një prononcim, Kastrati ka treguar sukseset që kishte gjatë vitit 2022, duke e vlerësuar si vitin më të mirë në aspektin profesional.

Viti 2022 ka qenë më i suksesshmi për mua përgjatë karrierës sime 12 vjeçare si gjyqtar. Kjo bazuar në ndeshjet e rëndësishme të cilat kam qenë i caktuar për të gjykuar, performancën dhe vlerësimet që kam marrë nga vëzhguesit e gjyqtarëve. Ndër të arriturat kryesore në ndeshjet ndërkombëtare, ka qenë gjykimi i ndeshjes në fazën e grupeve të Ligës së Konferencës, në mes të Gent dhe Shamrock Rovers. Ishte kjo ndeshja e vetme, në të cilën një gjyqtar ndërkombëtar nga Kosova është caktuar që të gjykojë në këtë nivel dhe së bashku me ekipin e gjyqtarëve treguam performancë të lartë në drejtimin e ndeshjes“, tha fillimisht Kastrati për ‘GazetaBlic Sport’.

Më pas, ai përmendi edhe disa të arritura të tjera që kishte gjatë gjithë vitit, duke e veçuar ndeshjen e gjykuar mes Viking dhe Sparta Prague, poashtu ndeshjen miqësore mes Turqisë dhe Skocisë.

Si të arritur tjetër e vlerësoj gjykimin e ndeshjes së dytë të fazës së kualifikimeve në Ligën e Konferencës në mes të skuadrave Viking dhe Sparta Pragë. Ndeshja e parë kishte përfunduar me rezultat 0-0 dhe kjo ndeshje ishte vendimtare për kualifikimin tutje. Skuadra e Viking arriti që të shënojë në sekondat e fundit të ndeshjes për rezultatin 2-1, që i mundësoj kalim në raundin tjetër. Eksperienca dhe performanca për ne si ekip të gjyqtarëve ishte e jashtëzakonshme.
Ndeshje tjetër e cila ishte e karakterit miqësor, ishte ajo në mes të kombëtares së Turqisë dhe Skocisë, e cila u zhvillua në Diarbakir të Turqisë. Gjykimi i yjeve botërore dhe atmosfera e krijuar në stadium, për ne ishte një tjetër eksperiencë e cila do të na mbetet si një ndër momentet më të mira gjatë këtij viti“, përfundoi Kastrati në prononcimin e tij.

/GazetaBlic Sport/