Lajme

Gjykatësi kërkoi mbi 6000 euro kompensim për pagat pas pensionimit- KGJK-ja kundërshton

09/11/2019 14:09
nga:Y I

Në Gjykatën Themelore në Prishtinë, të mërkurën, ka përfunduar gjykimi në rastin ku ish-gjykatësi Shemsi Hjadini, po kërkon nga Këshilli Gjyqësor i Kosovës (KGJK), kompensim në shumë prej mbi gjashtëmijë euro, në emër të pagave pas pensionimit.

Në fjalën përfundimtare, përfaqësuesi i paditësit, avokati Naser Peci, ka kërkuar nga gjykata që padia dhe lartësia e kërkesës së saj të aprovohen si të bazuara, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Ai tha se nga provat e administruara në këtë procedurë është vërtetuar baza, si dhe lartësia e kërkesëpadisë.

Ai pretendimet e të paditurës të dhënë në përgjigjen në padi, i ka konsideruar si të pabazuara për faktin se sipas tij, e njëjta i referohet praktikës gjyqësore, e cila nuk është burim i së drejtës dhe nuk mund të shërbej si bazë për refuzimin e kërkesëpadisë.

Sipas tij, nuk është kontestuese as fakti se ish-gjykatësi i Gjykatës Themelore në Prishtinë, tani paditës, ka gjithsej 26 vjet provojë pune, te tani e paditura.

Ai i ka kërkuar edhe shpenzimet e procedurës dhe atë për padi 104 euro, për taksë gjyqësore 61 euro dhe për një seancë shumën prej 135 euro.

Nga ana tjetër, përfaqësuesi i KGJK-së Besim Mustafa, në fjalën e tij përfundimtare e ka kundërshtuar në tërësi padinë si të pabazuar, me arsyetimin se Marrëveshja e Përgjithshme Kolektive e Kosovës, vlen vetëm për ata punëmarrës që marrin përsipër detyrimet që rrjedhin nga ajo.

Ai ka kërkuar nga gjykata që padia e paditësit Shemsi Hajdini, të refuzohet si e pabazuar.

Gjykatësi i rastit Hysni Batrdheci, pas administrimit të provave dhe fjalëve përfundimtare të palëve ndërgjygjëse, ka deklaruar se shqyrtimi gjyqësor në këtë çështje është i përfunduar dhe se lidhur me vendimin palët do të njoftohen me kohë.

Ndryshe, sipas padisë së ushtruar më 13 maj 2019, paditësi Shemsi Hajdini, po kërkon nga e KGJK-ja, kompensim e tri pagave përcjellëse dhe tri pagave jubilare, në shumë prej 6,073.98 euro.

Siç thuhet në padi, paditësi më 15 korrik 2016, ishte pensionuar sipas fuqisë ligjore.

Në padi thuhet se paditësit me vendimin e pensionimit nuk i ishte njohur e drejta për kompensimin e tri pagave përcjellëse dhe tri pagave jubilare, e cila e drejtë sipas tij, parashihet në Marrëveshjen e Përgjithshme Kolektive të Kosovës.

Bazuar në padi, paditësi fillimisht kishte parashtruar kërkesë te e paditura për kompensimin e këtyre pagave, por kërkesa e tij ishte refuzuar.

Prandaj, me anën e kësaj padie, ai po kërkon nga gjykata që padia dhe kërkesa e saj të aprovohen si të bazuara dhe të detyrohet e paditura që në emër të pagave përcjellëse dhe jubilare t’ia kompensojë shumën prej 6,073.98 euro.