Gjykata Themelore e Ferizajt është zgjedhur si gjykata më transparente me publikun në Kosovë, për shkak të publikimit më të madh të vendimeve gjyqësore.
Kjo u bë e ditur nga Lëvizja FOL ku me mbështetje nga Departamenti i Shtetit Amerikan, përmes Byrosë Ndërkombëtare për Çështje të Narkotikëve dhe Sundim të Ligjit (INL), ka publikuar sot “Raportin mbi Monitorimin e Publikimit të Vendimeve Gjyqësore”, i cili përfshinë gjetjet nga monitorimi i publikimit të vendimeve nga Gjykatat e Kosovës për vitin 2022.
Mexhide Demolli – Nimani, Drejtoreshë Ekzekutive në Lëvizjen FOL, tha se publikimi i aktgjykimeve konsiderohet një prej segmenteve më të rëndësishme të sigurimit të transparencës në sistemin e drejtësisë. Pra nuk mund të flitet për transparencë dhe llogaridhënie në sistemin e drejtësisë, pa publikim të epilogjeve gjyqësore, tha ajo.
Ajo theksoi se, kësaj radhe, për të treguar një përqindje të saktë të shkallës së publikimit të aktgjykimeve nga Gjykatat e Kosovës, kanë ndërruar metodologjinë e vlerësimit.
Ndër të tjera, Nimani theksoi se, duke i marrë parasysh gjetjet e gjithë këtij monitorimi për këtë periudhë kohore, Lëvizja FOL edhe këtë herë do të ndajë “Çmimin për Gjykatën më Transparente” i cili do t’i ndahet Gjykatës Themelore që ka arritur përqindjen më të lartë të publikimit të aktgjykimeve në ueb-faqen e KGjK – së në raport me lëndët e zgjidhura gjatë vitit 2022.
Gjithashtu, Nimani tha se kanë vlerësuar që ky çmim duhet t`i ndahet njëres prej Gjykatave Themelore, për shkak të dinamikës së punëve dhe vëllimit të lëndëve që gjyaktat e shkallës së parë i kanë, në raport me gjykatat e shkallëve të tjera.
Albert Zogaj, Kreyesuesi i Këshillit Gjyqësor të Kosovës, tha se po vërejnë që trendi i publikimit në propocion me lëndët e zgjidhura do të jetë një prioritet i tyre.
Unë falënderoj dhe mirëpres raportin si dhe INL që përkrah Lëvizjen FOL për punën e saj dhe mirëpres ndryshimin e metodologjisë për të përzgjedhur edhe Gjykatën më Transparente që kjo do të rritë edhe më shumë konkurrencën dhe do të jetë një shtysë e mire për Gjykatat tjera”, tha tutje Zogaj.