Lajme

Gjykata Supreme vendosi rivotim të pjesshëm në Dragash: Vjen reagimi nga PDK

11/25/2021 12:06
nga:Gazeta Blic

PDK ka lëshuar një kumtesë për media pas vendimit të Gjykatës Supreme, e cila ka kërkuar rivotim të votuesve jashtë Kosovës për komunën e Dragasghit.

Nga kjo parti thonë se vendimi i Gjykatës Supreme është i drejtë, raporton Gazeta Blic.

Njoftimi i plotë:

PDK mirëpret vendimin e Gjykatës Supreme: Qytetarët e Dragashit në diasporë do të rikonfirmojnë vullnetin e tyre për kryetarin Shaban Shabani

Prishtinë, 25 nëntor 2021 – Partia Demokratike e Kosovës e mirëpret vendimin e Gjykatës Supreme e cila sot rikonfirmoi se votat që kishin ardhur me postë për Komunën e Dragashit ishin të manipuluara me qëllim të deformimit të rezultatit zgjedhor dhe cenimin e vullnetit të mijëra qytetarëve të Dragashit të cilët më 14 nëntor përmes një procesi fer e demokratik rizgjodhën Shaban Shabanin kryetar për mandatin e ri katërvjeçar.

Partia Demokratike e Kosovës e vlerëson vendimin e Gjykatës Supreme dhe pret që riorganizimi i zgjedhjeve për votuesit me postë ta rikonfirmoj vullnetin e qytetarëve të Dragashit për fitoren e kryetarit Shaban Shabani.

Qytetarët e Dragashit pavarësisht ku ata jetojnë, do të bashkohen dhe me vullnetin e tyre të lirë e duke mos lejuar manipulimin e vullnetit të tyre, do të votojnë për kryetarin e tyre që ka qeverisur mirë e me transparencë për zhvillimin e kësaj komune.

Partia Demokratike e Kosovës fton Prokurorinë që të hetojë deri në fund dhe të ndëshkojë çdo person manipulues që ka guxuar të deformoj vullnetin e qytetarëve të Dragashit që jetojnë jashtë vendit.

PDK fton të gjithë qytetarët e Dragashit që do të votojnë me postë që të votojnë lirshëm, pa presion e pa ndikime për kryetarin e Dragashit.

Ekskluzive: Vendos Gjykata Supreme, Diaspora do të votojë sërish për Dragashin