Opinion

Gjykata Speciale, demarkacioni dhe çështje të tjera

12/24/2017 10:52
nga:Bekim Thaqi

Aty ku ka joseriozitet në punë, dhe ku punohet kuturu, gjithmonë ekziston rreziku që të ndëshkohesh rëndë për gabimet e bëra.

Gjykata speciale në këtë aspekt nuk bën një përjashtim. Dy vite më parë, kur ajo u pranua, dhe u trumbetua si diçka që nuk na bën dëm si vend dhe si popull, dhe se përkundrazi e pastron luftën tonë çlirimtare nga akuzat e pabaza, pati reagime të ndryshme nga shumë palë, se nuk bën të pranohet sepse do na sjellë dëm të paparashikueshëm në të ardhmen.

Këto reagime u injoruan, sepse dikush diku, mendoi se do ti dilet ne krye lehtë me Specialen, ashtu si ia kemi dalë me UNMIK-un e EULEX-in, dhe u bë një presion i paparë mbi deputetët, që të kalohet ky ligj në Kuvendin e Kosovës. A u menduan pasojat, sigurisht se jo. A u formua ndonjë komision i posaçëm me përgatitje juridike që të jepte një mendim apo raport në lidhje me këtë? A u konsultua organizata e veteranëve të luftës?

Jo, as kjo nuk u bë, sepse ne të gjitha punët i bëjmë me të shpejtë dhe pa menduar shumë. Kështu që ligji u aprovua, me një bujë në Kuvend, ku pati arsyetime për dhe kundër dhe ishte një temë e vazhdueshme në media. Sot pas dy viteve dikush u kujtua të thotë se paskëshim gabuar rëndë, sepse tashmë po priten efektet e para të kësaj Gjykate. Dhe shpejt e shpejt tentohet që të shfuqizohet ky ligj. Po si të shfuqizosh diçka që e ke nënshkruar me dorën tënde, dhe që kë marrë obligime ndërkombëtare në lidhje me këtë.

Kjo paraqet një joseriozitet të paparë dhe një lojë amatoreske. Gjykata, nuk është dashur të aprovohet fare në radhe të parë sepse janë ditur pasojat. Tashmë është tepër vonë, për të ndryshuar këtë pasi edhe miqtë tanë po na kthejnë shpinën dhe tërheqin veshin duke thënë se është e pamatur, që pasi të aprovosh diçka ti biesh pishman.

Nuk ka pishman në këto punë, ose mendoje mirë se çka po bën ose merru me pasojat. Dhe pasojat do te jenë te mëdha për shtet-ndërtimin e vendit, dhe humbjen e respektit dhe miqësisë nga vendet tona mike, duke e marrë gjithashtu me mend se vendet jo mike do të na akuzojnë si kurrë me parë, dhe se do mundohen që prapëseprapë ta ribëjnë këtë gjykatë me anë të OKB-së.

Edhe puna e demarkacionit, është vazhdimësi e një politike të tillë joserioze dhe kuturu, ku vendoset një komision i cili jep rekomandimet e veta, pa u marrë një konsensus nga të gjitha partitë politike, por vetëm duke u bazuar në arrogancë politike se ne kemi numrat dhe do e kalojmë atë.

Po të kishte pasur një transparencë të gjerë, me të gjitha partitë politike, dhe po të ishin informuar të gjithë me rrjedhën e punës së komisionit dhe ku mund të kyçeshin edhe nga dy përfaqësues të të gjitha partive politike sot puna e demarkacionit do të ishte e harruar.

Edhe Mali i Zi do të mund të lëshonte pe dhe të zgjidhej një mes i artë për të dy vendet.

Sot Mali i Zi thotë se nuk ka çfarë te bisedoje për këtë pasi për ta është pune e kryer ndërsa ne vuajmë pasojat dhe presionin ndërkombëtar për ratifikimin e marrëveshjes. Nuk ka liberalizim, nuk ka ndonjë lëvizje nga ana e BE-së që jep shpresë për ndonjë hap përpara drejt saj.

Problemet druaj se nuk do ndalen këtu deri sa mos të krijojmë grupe ekspertesh të cilat do themelojnë politikat shtetërore shumëvjeçare e jo politika për shërbim partiako ditor. Duhet të krijojmë agjension të posaçëm që do merrej me preokupimet e Kosovës në 25 vitet e ardhshme dhe të kemi një plan veprimi për çdo gjë që mund ta preokupoj vendin tonë e jo të sjellim vendime brenda natës e mandej të mundohemi ti zhbëjmë se paskëshim gabuar.

Gabimet dënohen me penalti e druaj që do marrim shumë penalti nëse nuk bëhemi me serioz dhe më largpamës. Deri atëherë kur do ta bëjmë këtë, shpesh do përballemi me probleme të këtij lloji që do i ngufasin te gjitha sferat e jetës, sepse në vend se të merremi me zhvillim ne iu rikthehemi çështjeve që tashmë i kemi kryer.

07/12/2018 22:44

Pacolli: Qeveria duhet të bie sa më shpejt!