Lajme

Gjykata refuzon padinë e SBAShK-ut, lë në fuqi vendimin e MAShT-it për kompensimin e orëve të humbura

01/08/2020 11:27
nga:B. D

Gjykata Themelore në Prishtinë, përkatësisht Departamenti për Çështje Administrative, sërish e ka refuzuar padinë e  Sindikatës së Bashkuar të Arsimit, Shkencës dhe Kulturës (SBASHK).

SBASHK-u, përmes padisë, kishte kërkuar nga kjo gjykatë që ta anulojë vendimin e Ministrisë së Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë (MASHT), e cila me vendimin e 27 shkurtit 2019, kishte obliguar zëvendësimin e orëve të humbura me rastin e grevës.

Gjykata Themelore në Prishtinë, më 14 maj 2019, e kishte refuzuar si të pabazuar padinë e SBASHK-ut, duke e lënë në fuqi vendimin e MASHT- it, për zëvendësimin e orëve të humbura me rastin e grevës.

Por, pas ankesës ndaj këtij aktgjykimi të ushtruar nga SBASHK-u, Gjykata e Apelit kishte prishur aktgjykimin e shkallës së parë dhe çështjen e kishte kthyer në rivendosje.

Kurse, pas kthimit në rigjykim, Gjykata Themelore në Prishtinë, Departamenti për Çështje Administrative, pas mbajtjes së shqyrtimit gjyqësor, më 30 dhjetor 2019, ka marr aktgjykim me të cilin sërish e kishte refuzuar padinë e SBASHK-ut.

Në vendimin e kësaj gjykate të siguruar nga “Betimi për Drejtësi” thuhet se vendimi i atakuar me padi është i drejtë dhe i ligjshëm dhe se kompensimi i orëve të humbura ka për qëllim zhvillimin arsimor të nxënësve.

“Mbi këtë bazë, gjykata vlerëson se vendimi i të paditurës, i goditur me padi, është vendim i drejtë dhe i ligjshëm sepse i njëjti është marr pas vërtetimit të të gjitha fakteve relevante, konform  dispozitave ligjore në fuqi. Po ashtu, gjykata vlerëson se vendimi i goditur me padi për kompensimin e orëve të humbura, i cili ka për qëllim zhvillimin arsimor të nxënësve dhe aftësimin e tyre social e profesional, është në përputhje me parimet e përgjithshme të arsimit parauniversitar”, thuhet në aktgjykim.

Një vendim të njëjtë, kjo gjykatë e kishte marr edhe më 14 maj 2019, ku kishte refuzuar si të pabazuar padinë e SBASHK- ut, dhe kishte lënë në fuqi vendimin e MASHT- it, për zëvendësimin e orëve të humbura me rastin e grevës.

Por, pas ankesës ndaj këtij aktgjykimi të ushtruar nga SBASHK-u, Gjykata e Apelit kishte prishur aktgjykimin e shkallës së parë, përmes aktvendimit kishte aprovuar si të bazuar padinë dhe çështjen e kishte kthyer në rivendosje.

Apeli, ndër të tjerash, kishte konstatuar se vendimi i MASHT-it është i pabazuar në ligj, dhe nuk përmban referenca të detyrueshme ligjore.

Padia për këtë rast ishte ushtruar pasi që MASHT-i, më 27 shkurt 2019, kishte marr vendim për zëvendësimin e orëve të humbura për shkak të ndërprerjes së përkohshme të mësimit në institucionet e arsimit para universitar publik, si pasojë e grevës.

Në vendimin e MASHT-it thuhej se orët e humbura do të zëvendësohen pesë ditë gjatë pushimit pranveror, pesë ditë gjatë vitit shkollor dhe për pesë ditë do të zëvendësohen pas përfundimit të vitit shkollor.

Por, kundër këtij vendimi kishte qenë SBASHK-u, ku përmes padisë së ushtruar në gjykatë më 4 mars 2019, kishte kërkuar anulimin e këtij vendimi, me pretendimin se ai është i kundërligjshëm.

Përkundër pretendimeve të palës paditëse, gjykata ka lënë në fuqi vendimin e atakuar, me arsyetimin se i njëjti është i bazuar në Ligjin për Arsimin Parauniversitar, dhe se MASHT-i mban përgjegjësi kryesore për planifikimin e standardeve dhe sigurimin e cilësisë në sistemin e arsimit parauniversitar.

Për më tepër,në aktgjykimin e shkallës së parë thuhej se në pamundësi të kompensimit të orëve të parealizuara, mësimdhënësi është i obliguar të gjej formën e përshtatshme për realizimin e objektivave përkatëse të nxënies.

Sipas gjykatës, kompensimi i orëve është përgjegjësi e vetë mësimdhënësit, e që në rastin konkret me vendimin e të paditurës është përcaktuar forma e kompensimit të orëve të humbura.

“Mbi këtë bazë, gjykata vlerëson se vendimi i të paditurës i goditur me padi është vendim i drejtë dhe i ligjshëm, sepse i njëjti është marr pas vërtetimit të të gjitha fakteve relevante, konform dispozitave ligjore në fuqi” thuhej në aktgjykimin e mar më 14 maj të ëtij viti.

Ndryshe, sipas padisë së ushtruar më 4 mars 2019, Sindikata e Bashkuar e Arsimit, Shkencës dhe Kulturës (SBASHK), ka kërkuar anulimin e vendimit të Ministrisë së Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë (MASHT), për zëvendësimin e orëve të humbura me rastin e grevës.

Kjo pasi që me vendimin e SBASHK-ut, të datës 10 janar 2019, të gjitha institucionet arsimore në Kosovë kishin qenë në grevë nga data 14 janar, duke kërkuar rritjen e koeficientit të pagës sipas Ligjit për Paga.

E lidhur me orët e humbura me rastin e grevës, MASHT-i, më 27 shkurt 2019, kishte nxjerr vendim për zëvendësimin e orëve të humbura me rastin e grevës, ku sipas këtij vendimi, orët e humbura do të zëvendësohen pesë ditë gjatë pushimit pranveror, pesë ditë gjatë vitit shkollor dhe për pesë ditë do të zëvendësohen pas përfundimit të vitit shkollor.

Por, me një vendim të tillë nuk ishte pajtuar SBASHK-u, pasi që sipas kësaj sindikate, ky vendim kishte qenë në kundërshtim me Ligjin për Grevat dhe Kontratën Kolektive të Arsimit në Kosovë.

Të pakënaqur me këtë vendim, SBASHK-u kishte ushtruar padi, me ç ‘rast kishte kërkuar nga Gjykata Themelore në Prishtinë, Departamenti për Çështje Administrative, anulimin e këtij vendimi.

03/15/2019 16:19

5 vjet burg për grabitjen e bankës në Istog ku u vra polici Izet Demaj