Opinion

Gjuha banale e sovranitetit që s’është

07/16/2018 09:49
nga:Leonard Komani

Serbët dhe turqit sillen ashtu sikur Kosova të udhëhiqet nga imamët dhe popat e tyre. Pse mos të sillen ashtu në një vend ku qeveria, politika dhe partitë nuk kanë as kapacitetin minimal për ta mbrojtur shtetin e tyre?

Konfrontimi, posaçërisht mënyra e komunikimit të kryeministrit Haradinaj me zjarrfikësit besoj se do të mbetet në analet e historisë si rasti epiko-banal më reprezentativi se kush ka qeverisur shqiptarët edhe në shekullin 21. Është mirë kur liderët sillen e janë sa më të afërm me turmat që i votojnë, sa më popullorë siç i quajnë dhe zemërhapur me «miletin», mirëpo pasi kryeministri është institucion që prezanton të gjithë, pra edhe ata që nuk e kanë votuar dhe kanë një nivel e kulturë pak më ndryshe se përfaqësuesi i tyre, ai për hir të respektit edhe ndaj tyre e kultivon një bonton, diskret dhe të përmbajtur – kjo edhe për arsye se është përfaqësues politik i një kulture dhe kombi përballë botës.
Kjo nuk është hera e parë që kryeministri Ramush Haradinaj acaron opinionin me sjellje komike ose banale si kjo me «mos ia kam vjedhur nanën e babën dikujt». Herë ia fut vrapit me gjithë entourage-in pa pritë e kujtuar; herë thotë nuk e di pse jam mysliman e këmbët i bien duke vrapuar – si përfaqësues shteti sekular! – nga iftari në bajram; herë thotë jemi shtet sovran dhe shqiptar e asnjëherë nuk reagon ndaj marsheve politike pro një shteti komplet të huaj e tjetër; asnjëherë as banalishte as me kulturë nuk reagon kundër vënies nën diktat politik të xhamive nga një ambasadë që funksionon si shtet në shtet. Ky rrëfim mund të vazhdojë deri në pafundësi prandaj le t’ia presim udhën sagës me një pyetje: Nëse Hashim Thaçi është i rrezikshëm ngase nuk e donë asnjë parti përveç asaj që ende ka nën thonj e kontroll, atëherë sa i besueshëm mund të jetë një kryeministër si Haradinaj në konfuzion të plotë, paradoksal (afër popullit e me rroga sa gjysma e popullit) dhe me një nivel dijeje e kulturore si kjo e Haradinajt (Ah, mos harrojmë të themi se gjithë kjo nuk ka të bëjë me sakrificën e tij dhe të familjes gjatë lutës së fundit se na preson kokën militantët e tij, të cilët s’kanë argumente tjera ndaj kritikës përveç kësaj drame të kaluar).

*
Mos sillen ndryshe, pra më pak banalisht tjerët? Jo. Mjafton ta trusim kursorin në cilëndo video-incizim të mbledhjeve të parlamentit dhe bindemi se kemi të bëjmë me një klasë politike të pa fije kulture jo vetëm në gjuhë por edhe në sjellje fizike të tyre: njëri bën sikur i ngatërrohen këmbët për t’ia fut me bërryl brinjave tjetrit; i dyti i del në ndihmë duke mbajtur dorën në brez; i treti çohet dhe ia rreh mikrofonin kolegut të tij në pamundësi që ta grushtojë atë; i katërti rrihet mu në mes të një studioje televizivë dhe le të mos hymë historisë edhe më thellë gazrave, zollave, rrahjeve e kërcënime që shoqërojnë skenën politike të Kosovës. Prodhim i kësaj «atmosfere» është edhe kryeministri aktual i Republikës së Kosovës.

*
Kështu siç përshkruam lartë sillet kategoria e njerëzve të pafuqishëm për të zgjidhur problemet me tru. Akuzat që ia bëjnë njeri tjetrit, po të ishte ende gjallë Fromm vazhdimin, do t’i bënte me siguri këta materialin kryesor të studimeve të tij në terrenin e «psikologjisë sociale dhe teorisë së shoqërisë» për t’i diagnostikuar defektet.
Kemi të bëjmë me një klasë politike që edhe po deshi nuk e ruan dot sovranitetin e vendit nga ekspansionet e jashtme. Kjo teza ime është edhe burimi se pse aq lehtë sundojnë Serbia dhe Turqia me Kosovën. Jo se ato kanë të drejtë, kanë inteligjencë të veçantë e të jashtëzakonshme, porse joshen, thirren, lejohen. Kategorinë e njerëzve që nuk mendojnë thellë dhe që gjithçka mendojnë e dinë nuk kalon kufijtë e kapacitetit të nivelit «hajt burrë të flasim në odë a kullë», apo «po dalim jashtë e t’ia lidhim kryt problemit si burra» mund ta mashtrosh lehtë me bonbone caqindramijëshe apo shpesh mjafton vetëm edhe ta lavdërosh të jetë më i forti i nahisë. Në këto kushte pse mos të bëhet ambasadorja turke – fatkeqësisht nuk kanë interes tjerët si amerikanet, gjermanët për të na bërë principatë të tyre – qeveria de facto e vendit, ministrja e kulturës, ministrja e arsimit, shefja e BIK-ut dhe ministrja e infrastrukturës dhe transportit e komunikacionit? Pse jo – dinë dikush ndonjë arsye tjetër përveç asaj floskës: mikeshat nuk duhet t’iu përzihen ashtu shteteve vëllazërorë?