Lajme

Gjermania dhe Britania e Madhe afrohen ushtarakisht

10/23/2024 16:12
nga:Sh R

Britania dhe Gjermania nënshkruan një pakt mbrojtës për bashkëpunim ushtarak. Avionët gjermanë gjuajtës të nëndetëseve do të operojnë nga Skocia. Grupi i armatimit Rheinmetall do të hapë një fabrikë në Britaninë e Madhe.

Sipas Ministrisë gjermane të Mbrojtjes, është planifikuar bashkëpunim në prodhimin industrial, zhvillimin e përbashkët të armëve dhe formate të rregullta diskutimi.

Sipas marrëveshjes, avionët gjermanë gjuajtës të nëndetëseve do të operojnë nga RAF Lossiemouth në Skoci dhe gjigandi gjerman i armëve Rheinmetall do të hapë një fabrikë për prodhimin e armëve të artilerisë duke përdorur çelik britanik.

Ministri gjerman i Mbrojtjes Boris Pistorius(SPD) udhëtoi në Londër të mërkurën për vizitën e tij të parë zyrtare në Britaninë e Madhe që nga marrja e detyrës. Në një konferencë për shtyp me kolegun e tij britanik John Healey pas nënshkrimit, Pistorius e quajti marrëveshjen “fillimin e diçkaje shumë të vlefshme”.

“Marrëveshja e Shtëpisë së Trinitetit”, e quajtur sipas vendit të nënshkrimit, do të sjellë mbi të gjitha në “më shumë siguri në Evropë”, theksoi ministri gjerman i Mbrojtjes. Përballë politikës së presidentit rus Vladimir Putin “përça e sundo”, marrëveshja përfaqëson një “shans për t’u afruar” për Londrën dhe Berlinin, tha Pistoriusi. “Ne ofrojmë diçka ndryshe: solidaritet dhe besim.”

“Me marrëveshjen e Trinity House, ne po tregojmë se aleatët eNATO-s i kanë njohur nevojat aktuale dhe janë të përkushtuar për të përmirësuar parandalimin e tyre dhe aftësitë mbrojtëse”.

Dëshmi e përpjekjeve për afrim të Britanisë së Madhe

Marrëveshja e Trinity House midis Britanisë së Madhe dhe Gjermanisë është një dëshmi e përpjekjeve të qeverisë britanike për të krijuar marrëdhënie të ngushta me aleatët evropianë, veçanërisht në lidhje me masat e mbrojtjes dhe sigurisë.

Marrëveshja është hapi më i fundit e përpjekjeve të kryeministrit Keir Starmer për të “rivendosur” marrëdhëniet me aktorët kryesorë të BE. Sipas marrëveshjes, dy shtetet anëtare të NATO-s do të bashkëpunojnë për të prodhuar armë me rreze të gjatë veprimi, që arrijnë më larg se raketat ekzistuese Storm Shadow të Mbretërisë së Bashkuar. Britania e Madhe dhe Gjermania do të bashkëpunojnë gjithashtu në zhvillimin e dronëve të rinj tokësorë dhe ajrorë.

Sipas Ministrisë gjermane të Mbrojtjes, kjo marrëveshje është e para e këtij lloji.

Ministri britanik i Mbrojtjes: “Marrëveshje historike”

Ministri britanik i Mbrojtjes John Healey foli për një “marrëveshje historike”: “Ajo garanton nivele të paprecedenta të bashkëpunimit të ri me Forcat e Armatosura gjermane dhe industrinë gjermane, duke sjellë përfitime për ne, për sigurinë dhe përparimin e përbashkët, duke mbrojtur vlerat tona të përbashkëta dhe duke rritur bazat tona industriale të mbrojtjes”.

Në bazë të marrëveshjes, Ministria britanike Mbrojtjes tha se avionët gjermanë të patrullimit detar P-8 Poseidon do të operojnë “periodikisht” nga Lossiemouth në Moray, potencialisht të armatosur me silurët e furnizuar nga Britania e Madhe, duke kontribuar kështu në sigurimin e Atlantikut të Veriut.

Përveç kësaj, marrëveshja do të hapë rrugën për një fabrikë të re të grupit gjerman Rheinmetall. Kjo do të lejojë Britaninë e Madhe të prodhojë armë artilerie për herë të parë në dhjetë vjet, duke përdorur çelikun e prodhuar nga Sheffield Forgemasters dhe duke krijuar 400 vende pune. Armët e para të artilerisë pritet të prodhohen në vitin 2027.

Ministrat ranë dakord gjithashtu të forcojnë bashkëpunimin e forcave tokësore në krahun lindor të NATO-s. Do të organizohen stërvitje të përbashkëta, tha ministria gjermane e Mbrojtjes. Gjithashtu janë planifikuar “takime të rregullta vjetore në formate të ndryshme deri në nivel ministror”.

Kancelari gjerman Olaf Scholz (SPD) dhe kryeministri britanik Keir Starmer kishin njoftuar tashmë “një kapitull të ri në marrëdhëniet gjermano-britanike” dhe nënshkrimin e një traktati gjithëpërfshirës gjatë vizitës së parë të Starmerit në Berlin në fund të gushtit. “Zemra e këtij traktati” është një marrëveshje e re e mbrojtjes, shpjegoi Starmer në atë kohë. Traktati i bashkëpunimit dypalësh duhet të nënshkruhet në fillim të vitit të ardhshëm, sipas planit të përbashkët.